Rama: Disa sekretari universitetesh disinformojnë qëllimisht studentët

Vendimet e qeverisë për reduktimin e tarifave në Universitete janë publikuar në Fletoren Zyrtare, ndërkohë që Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se “në mënyrë të qëllimshme në disa sekretari universitetesh disinformohen studentët”.

Në takimin e përjavshëm me koordinatorë të bashkëqeverisjes, Kryeministri Edi Rama foli fillimisht mbi debatin që vijon ende lidhur me plotësimin e kërkesave të studentëve, ndërkohë që kujtoi se VKM-të për reduktimin e tarifave janë publikuar në Fletoren Zyrtare.

“Deri në orën 3 të mëngjesit kam pasur në Whatsapp-in tim lloj-lloj prurjesh dhe mesazhesh nga më vulgaret, pa asnjë shenjë të përpjekjes prindërore për të dhënë edukatën bazë, deri te më prekëset, që nga më informueset deri tek më të angazhuarit. Dua të theksoj dy-tre gjëra që më bënë përshtypje, pasi kishte qartësisht një pjesë të tyre që i shtynte nëndaja të hynin në atë dialog me fjalinë e përsëritur ‘kur do të plotësohen kërkesat’”, tha Rama.

Duke iu përgjigjur këtyre studentëve, Kryeministri u shpreh se “kërkesat do të plotësohen një për një, sipas afateve të publikuara zyrtarisht”.

Po ashtu, ai theksoi se, “në harkun e muajit janar do të publikohet edhe dokumenti i Paktit për Universitetin, një dokument jo përfundimtar, por për një diskutim të brendshëm brenda universitetit”.

Ne, siguroi Rama, nuk do ta lëmë frymën dhe qëllimin e protestës të tretet bashkë me protestuesit, por do t’i shkojmë deri në fund, duke e shfrytëzuar këtë potencial të madh transformues për universitetin.

“Dikush i ka keqinformuar studentët, se pse vendimet nuk janë në Fletoren Zyrtare. Vendimet e qeverisë kanë dalë në Fletoren Zyrtare, mjafton një klik dhe janë të tëra të publikuara, por nuk duhet përtuar të lexosh, dhe nuk duhet kaq gatishmëri e madhe që çdo broçkull ta marrësh dhe ta kthesh në arsye për të qenë i revoltuar”, tha Rama.

Po ashtu, Kryeministri theksoi faktin se, “ka një shqetësim në rritje të shumë studentëve për pengmarrësit e protestës, ata që përdorin mjete zdrukthtarie për të çuar përpara një protestë të nisur me idealizëm dhe qëllim kaq fisnik, duke gozhduar dyer apo përdorur mjete rrugaçërie, apo duke i bërë presion atyre që duan të bëjnë mësim”.

Rama tha se “ata po pengojnë shumicën që duan të vazhdojnë mësimin në pritje të zbatimit të gjithë kërkesave”. Kjo, tha ai, rrezikon t’i shtyjë ditët e auditorit në korrik dhe gusht dhe shumëkujt t’ia humbasë vitin.

Kryeministri theksoi faktin se universitet nuk varen nga qeveria dhe qeveria nuk i urdhëron universitetet.

“Këtë duhet ta mësojnë të gjithë ata që flasin për autonominë, por harrojnë që autonomia është përgjegjësi”, tha Rama.

Kryeministri shprehu po ashtu indinjatën e tij për atë që po ndodh në shumë sekretari të universiteteve, ku mesa duket ka rënë pluhuri i kohës dhe indiferencës ndaj procesit të transformimit.

“Studentëve ju thuhet se ‘duhet të paguajnë tarifat e plota apo se nuk kemi njoftim’. Në shqipen e Whatsapp do thuhej se ‘nuk keni sytë që t’u dalin’, se të tjerat janë të qarta si drita e diellit. Qeveria ka marrë vendim, vendimet i janë transmetuar publikut, rektorëve, universiteteve që qeveria do të paguajë 50% të tarifës së studimit për studentët pa përjashtim, përfshirë edhe ata me 4 apo 5 për këtë vit akademik. Po ashtu qeveria do të paguajë 100% tarifën e studimit për ata me 9 apo me 10, studentët që vijnë nga familjet me ndihmë ekonomike, studentët me aftësi të kufizuar dhe kategoritë e specifikuara, të cilat do të marrin edhe një bursë studimi prej 10 mijë lekësh të reja në muaj”, tha Rama.

Sipas tij, “këtë që e kanë marrë vesh të gjithë nuk e kanë marrë vesh disa sekretari universitetesh”.

“Kjo është e qëllimshme për të disinformuar. Nga shumë komunikime kam dëgjuar drejtpërdrejt nga studentë se si ka pedagogë që refuzojnë të bëjnë mësim, por preferojnë t’i lënë studentët rrugëve se duan të rrinë vetë në kafe. Ashtu sikurse ka drejtues universitetesh që për arsye të frikës se ky proces hap pas hapi do të shkojë drejt tyre, bëjnë lojën e nondajës. Por kjo është temë tjetër”, tha Rama. /ATSH

Loading...