Rama do ‘sjell’ të Premten ne Gjirokastër edhe një lajm për Zamira Ramin..

Kryeministri Edi Rama do të jetë të premten dhe të shtunën në Gjirokastër për disa takime në rang qarku. Një ndër eventet e rëndësishme që është planifikuar të organizohet është ai nën logon ‘Bashkia që Duam’. Ky format i ri është një tur paraelektoral i kryeministrit në prag të zgjedhjeve lokale.

Deri më tani Rama ka shkuar në dy bashki që i drejtojnë kryetarë të PS-së (Korçë dhe Vlorë), si dhe në një bashki që e drejton PD-ja (Lezhë). Ndërkohë Gjirokastra është një prej bashkive që e drejton LSI-ja. Shpesh herë ka pasur zëra se kryebashkiakja Zamira Rami mund të rikandidohet për një mandat të dytë si e propozuar nga PS.

Deri më tani s’ka asgjë zyrtare për këtë çështje, por takimi që Edi Rama do të zhvillojë të premten, le të themi që është ‘prova e madhe’. Nëse Zamira Rami do të jetë e pranishme në atë takim, natyrisht që kjo mbart një simbolikë të fortë dhe rrjedhimisht do të thotë rikonfirmim i saj për një mandat të dytë.

Por nëse Rama do e mbajë takimin ‘Bashkia që Duam’ pa Zamira Ramin, kjo është një shenjë e qartë se PS po e anashkalon dhe as që mund të mendohet se do ta rikandidojë nën logon e saj. Një takim i tillë pa të parën e qytetit, natyrisht që do të shndërrohet edhe në spektakël akuzash ndaj Zamira Ramit dhe administratës së saj.

Vetë kryetarja e bashkisë nuk e ka fshehur dëshirën për një mandat të dytë. Takimi i së premtes me gjasë do të zbulojë jo vetëm qasjen e Edi Ramës ndaj Zamira Ramit si një alternativë për një mandat tjetër, por ndoshta edhe kandidatin potencial të PS për garën e qershorit 2019. Gjithmonë nëse zgjedhjet lokale do të mbahen në atë muaj. Djegia e mandateve nga opozita do të ndryshojë gjithçka në jetën politike të vendit.

©agjirolajm.net

Loading...