Rama: Do ta fitojmë bashkinë e Kukësit

“Ne do ta fitojmë bashkinë e Kukësit, jo për të fituar ndonjë kupë, por sepse Kukësi ka nevojë për një faqe të re në të gjitha drejtimet dhe ne do ta hapim faqen e re për Kukësin”.

Kështu deklaroi sot nga Kukësi, Kryeministri Edi Rama. Sipas tij, “duke pasur edhe përgjegjësinë për të drejtuar bashkinë e Kukësit, ne do të kemi dhe mundësinë për të bërë shumë më tepër për Kukësin”.

“Në zgjedhjet e ardhshme ne do të kemi fitore në Kukës dhe jam i bindur që edhe ata që janë kuksianë që nuk e kanë menduar kurrë se do të votojnë ndonjëherë për të majtën, do të kuptojnë se kjo nuk është punë e majte dhe e djathte. Sot ne jemi të ndarë në njerëz që punojnë, bëjnë edhe gabime, por që kanë aftësinë të reflektojnë dhe të bëjnë gjërat që thonë. Dhe nga ana tjetër kemi njerëz që nuk kanë aftësinë të kuptojnë as çfarë flasin vetë, jo më të bëjnë ndonjë gjë”, – tha Rama.

Për fat të keq, tha Rama, “kemi kundërshtarë që nuk na sfidojnë, por përpiqen të na godasin me mjetet që nuk janë as të politikës dhe të asnjë tradite shqiptare”.

“As kanuni nuk e ka shpifjen mjet për të sulmuar të tjerët”, – tha Rama. /atsh

Loading...