Kryeministri Edi Rama, në konferencë për mediat, komentoi sot deklaratat e Koordinatorit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Europian, Michael Gahler i cili i kërkoi Ramës të mos përgojojë BE-në por të plotësojë kushtet për anëtarësimin në BE. Rama foli edhe për marrëveshjen e 5 qershorit
Rama shtoi se nuk mund të citohet çdo lloj koordinatori i PE-së, që ndoshta nuk e njeh as vendi i vet dhe që keqpërdoret nga Tirana.
“Për cilin qershor bëhet fjalë, se unë njoh 1 qershorin. Çfarë është 5 qershori? Për çfarë flitet? Ç’punë ka një koordinator i PE-së me këtë datë? Për çfarë jemi ne këtu, që mos hapim gojën edhe kur shohim një fakt. Ka njerëz politikanë që në vendet e tyre as i njeh kush dhe vijnë këtu e na japin mend. Ky është një karagjozllëk i madh, që e bëjnë për pushtet, për të marrë karrige dhe të bëhet Shqipëria copë-copë, me gjysmë të vërteta që janë gënjeshtra të trasha. Merrni një shtet si ne, që dalin njerëz të dorës së dytë dhe të tretë në vendin e tyre, që shumë mirë për punën e tyre, por s’kanë pse merren me ne, duke u keqpërdorur nga këtu”, tha Rama.
Edi Rama vijoi me akuza ndaj opozitës, duke u shprehur se nxjerrë në rrugët e Europës fjalët më të ndyra për Shqipërinë.
“Nuk njoh koordinator të BE-së dhe s’kam pse t’i përgjigjem. Kur të kem kohë, të shoh nëse do mësoj më shumë për personin në fjalë. Opozita tregon përralla nga e kaluara. Ju si gazetarë jeni me Shqipërinë apo me koordinatorë të PE-së që merren me histori që s’kanë lidhje me vaksinën. Keni hall se përgojohet BE-ja. Këto që thuhen janë përgojime të pabazuara në fakte të vendit tonë. Për këto unë e di se kush është fajtori, janë ata që nxjerrin rrugëve të botës tërë llafet e zeza për Shqipërinë dhe duan të vijnë në qeveri me pseudo-programe, që janë edhe fyerje për inteligjencës”, u shpreh Rama.
Po ashtu, Rama nënvizoi se politika nuk mund të jetë një cirk, ku nuk mbarojnë karagjozët.
“Nuk kam përgojuar asnjëherë BE-në. I dëgjoni se çfarë thonë në Europë për vaksinën, çfarë thotë presidentja e Bashkimit Europian, po përgojon Europën? Politika nuk mund të jetë një cirk ku nuk mbarojnë karagjozët. Këtu unë po flas për diçka, ku bëhet fjalë për familjarët tanë. S’ka nevojë ta mbrojë BE-në nga unë asnjë koordinator i Bashkimit Europian. E mbroj vetë BE-në më mirë se çdo koordinator, të jetë me kombësi çfarë do. Këta flasin kështu se ushqehen dhe mbështeten nga Tirana, prandaj flasin kështu. Nuk kanë minimumin etik kur flasin, ku është në Babrru apo në Bruksel. Ne po flasim për vaksinën, për shëndetin”, përmbylli Rama.