Gjatë një interviste të dhënë për “Zërin e Amerikës”, kryeministri Rama komentoi nga Uashingtoni situatën e brendshme në Partinë Demokratike.
Rama në fjalën e tij u shpreh se Shqipëria nuk ka pasur prej kohësh opozitë, pasi Partia Demokratike sipas tij ka përdorur forcën dhe jo mendjen për të ardhur në pushtet.
Ai shtoi gjithashtu se përçarja e Partisë Demokratike dhe reflektimi në popull nuk e bën atë një alternativë fituese.
Pyetje: Cili është ndikimi i gjendjes së opozitës tani në administratën e vendit dhe qeverisjen?
Rama: Ne nuk kemi pasur opozitë prej vitesh nuk është diçka e re. Opozita që ne kemi pasur ka qenë një opozitë muskujsh dhe jo mendjeje. Ajo që ka ndodhur nuk është e lehtë, është dramatike. Ajo që ka ndodhur është një përçarje e madhe që reflektohet në një ndarje të madhe dhe në popull, duke shkatërruar premisat e një opozitarizmi modern, konstruktiv evropian dhe alternativ fitues. Por dhe natyrisht duke dëmtuar vendin.
Ne nuk mund të gjësendi në atë dinamikë, është një pengmarrje spektakolare e opozitës nga dy personazhe që janë tragjikomikë. Njëri i shpallur “non grata” nga SHBA-të dhe tjetri një humbës serial që flet sikur ka zbuluar Amerikën, por që thjesht dhe vetëm është peng i vetvetes. Janë dy drejtues dhe personazhe pa legjitimitet.
Pyetje: A mund të bëheni më autoritar?
Rama: Nuk kemi pasur opozitë racionale dhe të arsyeshme. Ndoshta mbaj mend një natë, por asnjë ditë. Prandaj ne po rrisim kapacitetin për të ndërvepruar me qytetarët brenda dhe jashtë saj. Jemi në procesin e Këshillimit Kombëtar për disa vendime të qeverisë për të cilat ne kemi dilemat tona. Opozita është vetëm për përçarje jashtë rrugës së arsyes ndërkohë që politika kërkon në radhë të parë arsyen.