Në intervistën e tij në “Opinion”, Kryeministri Rama ka prekur edhe raportet me Presidentin e vendit Ilir Meta.
I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu për ecurinë e çuditshme të këtyre marrëdhënieve, Rama e cilësoi Metën si njeri të dyzuar. “Iliri është dy në një”, tha Rama, ndërsa kujtoi se si e njihte Metën qenë kohën kur frekuentonte palestrën e shtangës.
Pjesë nga intervista
Fevziu: Si ka qenë raporti juaj me Ilir Metën? Nuk dua një përgjigje nisur nga dominimi i momentit. Jeni dashur shumë, jeni luftuar shumë, jeni njohur para viteve 90…
Rama: Para viteve ‘90 Iliri stërvitej tek palestra e shtangës, tek të rinjtë.
Unë shkoja atje se bëja ushtrime force dhe isha shumë i lidhur në atë kohë me Agron Haxhihysenin, Aleksandër Kondon dhe merrja prej tyre ide për programin e forcës. Iliri më kujtohet, ishte në një kënd atje që stërvitej. Por nuk kishim ndonjë njohje më shumë se kaq.
Fevziu: Si mund ta përkufizosh marrëdhënien tuaj shumë të çuditshme me të?
Rama: Iliri është dy në një. Nuk është dy njerëz të ndryshëm në dy periudha të ndryshme historike, por është dy njerëz në një në çdo moment, është njeri shumë i dyzuar.
Dhe ajo që unë them duket si figurë letrare, por është fatkeqësisht e vërtetë në këtë rast. Por Iliri është njeri me hënë.
Është shumë i pasigurt brenda vetes dhe kjo e bën të paqëndrueshëm, por në thelb nuk kam asnjë gjë me të.
Fevziu: Merreshit vesh?
Rama: O jam marr vesh shkëlqyeshëm, o nuk jam marr vesh fare, nuk kam pas asnjë periudhë kur as jam marr vesh e as nuk jam marr vesh.
O jam marr vesh shkëlqyeshëm, o nuk jam marr vesh. Ai është dy veta. Varet se cilin Ilir të bie radha të kesh përballë në atë moment kur ke një çështje për të trajtuar.