Në takim me studentë të Universitetit të Vlorës, Kryeministri Rama u shpreh se “asnjëherë nuk e ka kthyer në debat këtë gjë, sepse mendon se nuk mund t’i hyjë çdo akuze dhe shpifje që bëhet”, “por theksoi ai “kjo është një gënjeshtër”.
“Kurrë nuk kam deklaruar që kam vetëm 2 mijë euro. Kjo është gënjeshtër e sajuar. Janë të gjitha deklaratat e mia të pasurisë. Unë kam qenë emigrant dhe si të gjithë emigrantët e tjerë kam bërë edhe unë pjesën time të sakrificave në emigracion. Shtëpia ime, jo vetëm që është e deklaruar në çdo detaj por edhe taksat i ka të gjitha të ilustruara në çdo detaj”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama deklaroi gjithashtu se “për herë të parë kjo qeveri që në 2013 ka nënshkruar një kod etik të ministrit përfshirë dhe kryeministrin ku nuk ka të drejtë të bëjë pushime jashtë shtetit dhe nuk bën”.
Në bashkëbisedimin me studentët dhe pedagogët në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, Rama duke iu përgjigjur pyetjeve të një tjetër studenti tha se “realisht është për të ardhur keq, nuk është faji juaj, ku njerëzit flasin sikur sapo kanë dalë nga kazani. E dyta, është hera e parë që në historinë e këtij shteti që nga ’90 që dhuratat që merr apo që vijnë tek Kryeministri nuk i merr Kryeministri, por regjistrohen dhe lihen në kryeministri”.
Pra, sqaroi ai, kur unë të iki nga Kryeministria, kush do të vijë mbrapa do të shikojë që ato dhurata i përkasin popullit shqiptar dhe nuk i përkasin shtëpisë së Kryeministrit.
“E treta unë nuk bëj udhëtime turistike, në rastet kur udhëtoj për arsye të jetës sime si artist, shpenzimet i paguaj vetë dhe nuk mi paguan shteti, i paguaj vetë nga të ardhurat e mia”, theksoi Rama.
“E katërta nuk jetoj në luks, kam një shtëpi në një vend ku janë ndërtuar 400 mijë shtëpi në 20 e ca vite dhe mbi të gjitha kush më njeh e di shumë mirë që unë nuk jetoj për të fituar, por unë fitoj për të jetuar”, tha Kreu i Ekzekutivit.
“Në këtë punë nuk jam për të bërë pasuri, por për të dhënë atë që mund të jap që fëmijët e mi të kenë një vend më të mirë nesër se sa vendi që do të kishin, po të mos isha unë këtu dhe unë këtë do ta bëjë”, tha Rama. /ATSH