I shoqëruar edhe nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, Kryeministri uroi nënën e re të dy vajzave dhe djalit të sapolindur, të cilët menjëherë përfituan edhe çekun e bebes prej 120 mijë lekë të reja secili.
“Me këtë rast sqaruam atë pyetjen e famshme, “si është bonusi kur janë tre?” Kështu që, kur janë tre, të gjithë marrin si për të tretin, 1.2 milionë lekë. Kanë ardhur me duart plot,” u shpreh Kryeministri Rama.
Nga 1 janari i këtij viti, 2200 bebe kanë përfituar bonusin e bebes. Çeku i Bebes përcakton shpërblim me 40 mijë lekë të reja për fëmijën e parë, 80 mijë lekë të reja për fëmijën e dytë dhe 120 mijë lekë të reja për fëmijën e tretë.
Për nënat që lindin binjakë masa e përfitimit është në masën 80 mijë për secilin fëmijë, ndërsa për nënat që lindin trinjakë e më shumë, masa e përfitimit është në masën 120 mijë lekë për secilin fëmijë.
Prindërit e kryejnë regjistrimin e fëmijës së porsalindur në sportelet e gjendjes civile të hapura në 37 maternitete të vendit, duke lehtësuar edhe procedurën e regjistrimit fillestar të të porsalindurve./atsh/