Rama: ‘Kadastra, portreti i turpit të qeverisjes sonë, shumë shpejt mbyllim zyrat, brenda muajit qershor shërbimet do…’

Brenda muajit qershor aplikimet për Kadastrën do të bëhen online. Kështu u shpreh dje kryeministri Edi Rama gjatë takimit falënderues me qytetarët e Fierit. Duke folur për rezultatin në zgjedhjet vendore të 14 majit, Rama theksoi se besimi që qytetarët i kanë dhënë PS-së nuk do jetë me kohë të pakufizuar.
Ai tha e cilësoi Agjencinë Shtetërore të Kadastrës si ‘turpin e qeverisjes së PS’ dhe tha se qytetarët nuk do të kenë nevojë të shkojnë në zyrat e institucionit pasi çdo shërbim do të mund ta marrin online. “Unë mendoj se ata që na kanë votuar, nuk mund të presin edhe 10 vite të tjera për të mos pasur më andralla me Kadastrën, në marrjen e titullit të pronësisë, apo pamundësi në regjistrimin e tokës së tyre. Edhe pse në një pjesë të madhe të shërbimeve kemi bërë një revolucion duke i hequr radhët dhe zyrat Kadastra është portreti i turpit tonë. Kjo është e vërteta dhe nëse nuk ia themi të tjerëve duket sikur jemi pajtuar me këtë të vërtetë. Por nuk mund të pajtohemi kurrë.

Kush mendon se është kredi me interesa të ulëta bën shumë gabim, është kredi me interesa të larta. Duhet të përmbysim dhe jemi afër, të përmbysim rendin që mbizotëron në Kadastër. Njësoj siç kemi vepruar me shumë shërbime të tjera, po ashtu duhet të veprojmë. Duhet ti mbyllim dyert e kadastrave dhe shume shpejt do ta bëjmë këtë gjë”, deklaroi ai. Ndërkohë Rama theksoi se mjafton që qytetarët të bëjnë aplikim online dhe do ta marrin online shërbimin që ata duan. “Nuk duhet të ketë nevojë që qytetarët të shkojnë në dyert e Kadastrave. Duhet të mjaftojë aplikimi online dhe ta marrin po online shërbimin që duan. Besoj se brenda muajit ku jemi do të bëjmë prezantimin e këtij transformimi për t’ua hequr njerëzve përfundimisht këtë barrë të tmerrshme”, nënvizoi Rama.

Loading...