Rama komenton deklaratën e Luljeta Bozos për komunizmin: Kandidatura e saj ka trembur PD

Kryeministri Edi Rama ka komentuar deklaratën për komunizmin që bëri kandidatja për deputete e PS-së, Luljeta Bozo. Kjo e fundit pohoi se komunizmi ka pasur më shumë të mira se të këqija, deklaratë që qarkulloi e bëri zhurmë në rrjet.

I ftuar në emisionin “Kjo Javë” , kreu i qeverisë tha se kandidatura e saj ka trembur palën tjetër, ndaj edhe u sulmua qëllimisht sipas tij.

Ai tha se në interpretimet e fjalëve shpesh herë krijohen keqkuptime, sipas tij herë me qëllim e herë pa qëllim.

“Unë mendoj që ajo është thënë në një kontekst të caktuar dhe nuk kam asnjë dyshim se nuk ka qenë qëllimi, apo nuk është thënë për të relativizuar të keqen e diktaturës apo për të relativizuar vetë diktaturën.
Nuk kam nevojë të flas me të sepse jam shumë i qartë se çfarë ka dashur të thotë, çfarë ka thënë dhe pastaj si dhe pse është interpretuar në atë formë. Me siguri që Luljeta është një nga arsyet që e ka shqetësuar palën tjetër për cilësinë e skuadrës dhe cilësinë e kandidaturave.

Është një person i dashur për shqiptarët, një profesioniste e shkëlqyer, një grua me vullnet të madh dhe të gjitha këto janë mëse të mjaftueshme për ta respektuar plotësisht. Pastaj në interpretimet e fjalëve shpesh herë krijohen keqkuptime, herë me qëllim e herë pa qëllim. Kjo ka qenë e qëllimshme, e gjitha kjo që u bë kundër saj.”-tha Rama.

Loading...