Rama kritika të forta katër kryebashkiakëve: Flenë gjumë përballë plehrave

Kryeministri Edi Rama në mbledhjen me kryebashkiakët në të gjithë vendin ka evidentuar disa prej bashkive më problematike sa i takon menaxhimit të mbetjeve.

Sipas Ramës kampion negativ sa i takon mbetjeve dhe papastërtisë është Himara, dhe pas saj Elbasani, Durrësi dhe Kamza. Ndërkohë që bashkitë që sipas Ramës kanë dhënë shembuj pozitiv në trajtimin e mbetjeve janë Lezha dhe Korça.

Rama tha se në bashkëpunim me donatorët e huaj, qeveria ka hedhur miliona euro për çështjen e pastrimit dhe menaxhimit të mbetjeve, dhe tashmë është koha që qytetarët të kenë rezultate të prekshme dhe të matshme.

Rama paralajmëroi të gjithë kryetarët që nëse nuk kanë të parashikuar në buxhet zërin për trajtimin e mbetjeve dhe pastrimin e mjedisit, ata nuk do të miratohen nga ana e qeverisë.

“Qeveria do të ndërhyjë drejtpërdrejt, asnjë buxhet i asnjë këshilli bashkiak nuk do kalojë nëse në të nuk parashikohet ajo për të cilën qeveria do të punojë, pastrimi.

Ministrja do të jetë vetë e pranishme, asnjë bashki nuk ka asnjë problem që të mbulojë menaxhimin e përditshëm të mbetjeve nga financat.

Edhe sikur i gjithë buxheti të shkojë për pastrimin le të shkojë, shtëpitë e shqiptarëve në cdo kohë pavarësisht nivelit të varfërisë kane qenë shembull pastrimi, nuk janë dalluar ndonjeherë për pisanjos”, tha mes të tjerave Rama.

Loading...