Rama kujton Adem Damaçin: Dinjitetin e të ngjashmëve të vet e ktheu në mburojë për plumbin dhe helmin

Kryeministri Rama ka kujtuar sot me anë të një shkrimi në rrjetin social Facebook, Adem Baçin në dy vjetorin e ndarjes nga jeta.

Kreu i qeverisë e ka cilësuar si një pishtar i lirisë së ndërgjegjes në rrugëtimin e Kosovës përgjatë errësirës drejt lirisë.

Postimi i plotë i kryeministrit Rama:

💐HOMAZH

« Ma s’pari dhe mbi të gjitha, jam qenie njerëzore; fatmirësisht jam edhe shqiptar »

ADEM DEMAÇI ishte fatmirësisht shqiptar, shqiptar i mirë shumë, po mbi të gjitha ai ishte një njeri që dinjitetin e të ngjashmëve të vet e ktheu në mburojë të pakapërcyeshme për plumbin dhe për helmin. Pse ishte një shqiptar i mirë fare dhe një qenie njerëzore e lartë, që nuk e negocionte ndërgjegjen e vet, ai u bë pishtar i lirisë së ndërgjegjes në rrugëtimin e Kosovës përgjatë errësirës drejt lirisë.
Tre dënime. Tre dekada sfilitëse. Tre ngadhënjime. Habitej e gjithë një botë tek e shihte si i shpërfillte plumbat në rrugët e Prishtinës, torturuesit në birucat e Jugosllavisë apo edhe vetë hijen e vdekjes, e cila më se një herë iu avit në ato biruca. Ai nuk i trembej asaj ndoshta edhe pse me të ishte ndeshur qysh në djep kur mori emrin, që në Bibël e Kuran e mban krijesa që Zoti plazmoi në shëmbëlltyrën e vet!
Ademi lindi në gusht të vitit 1935 aq i brishte, sa prindërit nuk e regjistruan veçse në shkurt të vitit 1936. Por brishtësia e frikshme e ditëardhjes në jetë, atij iu bë butësi shpirtërore brenda koracës së hekurt të karakterit të jashtëzakonshëm, që e ktheu Adem Demaçin në një legjendë të gjallë të lirisë së Kosovës.
Hero i pavdekshëm i popullit të Kosovës në kuptimin më të plotë të fjalës dhe gur i gjallë i sovranitetit kosovar, qysh në kohëra kur as imagjinata më e shfrenuar nuk e rrokte dot mundësinë e realizimit të Kosovës sovrane, baca Adem u nda nga kjo jetë si sot dy vjet më parë, duke na e lënë jetën e tij si një “Bibël” a “Kuran” shqiptarie.
Duke e kujtuar sot në këtë dyvjetor të ndarjes fizike prej nesh, më erdhi në mend dedikimi që përmban novela e tij, « Gjarpërinjtë e gjakut » – e para novelë shqip botuar në Kosovë, më 1958:

« Jo – atyne që janë trima
me ngrehë gishtin e krimit,
por- atyne që janë trima
me zgjatë dorën e pajtimit. »

#TëPAHARRUESHËM🙏

Loading...