Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në tryezën e përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe Federatës Shqiptare të Futbollit, me temë: “Siguri, reformim, modernizim”.
Kryeministri tha se, “ne do të ndërhyjmë menjëherë në Kodin Penal dhe kapërcimi i vijave të bardha dhe futja në tapetin e gjelbër do të dënohet me 3 vjet burg”.
“Kush kalon vijën e bardhë dhe hyn në tapetin e gjelbër është një kërcënim fizik për ata që ushtrojnë detyrën e tyre, si futbollistë apo arbitra. Kemi domosdoshmëri që ta diskutojmë me shpejtësi dhe ta aplikojmë menjëherë këtë dënim minimum 3 vjet”, – tha Rama.
Kryeministri kujtoi se “ndëshkime shumë më të rënda se sa 3 vite burg u zbatuan në ’89 në Angli me iniciativën e kryeministres së kohës, për t’i dhënë përgjigje përfundimtare dhunës si sport më vete që karakterizonte futbollin anglez”.
Ndaj, tha Rama, “burgosja dhe përjashtimi përjetë nga stadiumi i atyre që prekin vijat e bardha, do të jetë hapi i parë në parlament, duke ndryshuar Kodin Penal”.
Rama tha se “për futbollin shqiptar ka ardhur koha e një hapi tjetër të madh përpara, duke reaguar fuqishëm ndaj dhunës dhe duke ndërmarrë së bashku një reformë të thellë modernizuese.
“Dhuna në stadiume është një fenomen që nuk mund të tolerohet më ndaj ka nevojë për një reagim të përbashkët. Për zgjidhjen e problemit të dhunës ne kemi të gjitha mundësitë për të vendosur një bazë solide dhe të hyjmë në një fazë pa kthim në raport me dhunën”, – tha Rama. /atsh/