Rama lëviz ‘drejtorët e mëdhenj’, si do të rinovohet administrata deri në Kongresin e ri të PS

Kryeministri Rama pritet të bëjë lëvizjet e para në administratën shtetërore pas fitores së zgjedhjeve të 25 prillit.

Ndryshimet në krye të institucioneve të rëndësishme të vendit pritet të bëhen pa nisur ende analiza e rezultatit zgjedhor dhe vlerësimi i kontributit të çdo drejtuesi në këto zgjedhje.

Burime nga qeveria thanë për gazetën “Panorama” se përveç disa lëvizjeve të detyrueshme, që vijnë për shkak të zgjedhjes deputetë të drejtuesve të enteve të rëndësishme publike, lëvizje do të ketë edhe në drejtori të tjera.

Benet Beci, drejtori i Korporatës Elektro-Energjetike, fitoi mandatin e deputetit në qarkun e Shkodrës dhe në vend të tij kreu i qeverisë do të propozojë brenda pak ditësh emrin e ri në krye të këtij institucioni strategjik për vendin.

Vendi i drejtoreshës së Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit është vakant për shkak se Dallëndyshe Bici, e cila nuk rezultoi fituese nga lista e Tiranës, u emërua një javë më parë zv.ministre e Mbrojtjes.
Por mësohet se lëvizjet do të prekin dhe tatimet e doganat, por dhe agjenci të rëndësishme shtetërore. Përtëritja e drejtuesve kryesorë të administratës publike pritet të bëhen nga kabineti aktual, ndërsa Kryeministri u shpreh dy ditë më parë se qeveria e re do të duhet të krijohet pas sezonit veror.

MANDATI I TRETË

Kryeministri Rama është shprehur se mandati i tretë nuk do t’u ngjajë dy mandateve të tjera, jo vetëm për gjuhën e komunikimit me opozitën, por dhe me mënyrën se si do të duhet të punojë qeveria dhe institucionet e saj të varësisë në raport me qytetarin.

Të gjitha ndryshimet që pritet të bëhen, vijnë në funksion të qëllimit që kreu i qeverisë tha pak ditë pas zgjedhjeve të 25 prillit se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ato të 2025, Partia Socialiste do të marrë mbi 850 mijë vota, duke i dhënë asaj mandatin e katërt radhazi. Për të përmirësuar atë që e quajti “makineri fitoreje”, Kryeministri Rama ka kërkuar nisjen e një analize në çdo organizatë socialiste dhe forum për të nxjerrë pikat e dobëta të fushatës, në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme, firot të jenë minimale.

“Me gatishmëri maksimale duhet të nisim menjëherë një fushatë hapjeje të re të Partisë Socialiste, ku nga njëra anë duhet të krijojmë një mundësi të besueshme përfshirjeje të të gjithë atyre që duan të bëhen pjesë e kësaj familje e nga ana tjetër duhet të rirreshtojmë nga e para të gjitha forcat në terren, bazuar në rezultatet e arritura.

Kush nuk e ka arritur objektivin, që nga niveli i drejtimit të organizatës, deri te niveli më i lartë organizativ, duhet t’i lërë vendin dikujt tjetër. Nga ana tjetër, kush nuk ia ka zbardhur faqen kësaj shumice në nivelet ekzekutive në territor, duhet gjithashtu që t’ia lërë vendin dikujt tjetër”, u shpreh Kryeministri Rama.

Loading...