Tiranë- Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, kanë ndjekur nga afër vaksinimin në Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë.
“Kemi filluar dje nga Shkodra dhe tashmë në të gjithë Shqipërinë vaksinimin e të moshuarve në shtëpitë e përkujdesit ndaj të moshuarve. Në total në të gjithë shtëpitë e përkujdesit janë rreth 700 të moshuar. Pjesa tjetër janë staf. Pra rreth 1000 të moshuar dhe staf që do të vaksinohen”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë tha se do të vijohet me vaksinimin e të moshuarve mbi 80 vjeç edhe në popullatë.
“Vijojmë me vaksinimin e të moshuarve në qendrat rezidenciale dhe më pas do të vijojmë me grupin +80 vjeç, me ardhjen e sasive të tjera të vaksinës, nga java tjetër e në vazhdim”, tha Manastirliu.
Gjatë vizitës së Kryeministrit Edi Rama dhe Ministres Manastirliu në Shtëpinë e të Moshuarve Tiranë, vetë të moshuarit shprehën falenderime për kujdesin që ofrohet ndaj moshës së tretë.
“Falenderojmë shtetin që kujdeset për moshën e tretë”, tha njëri nga të moshuarit që sapo u vaksinua.
Kryeministri Rama falenderoi stafet e shtëpive të të moshuarve, të cilët kanë sakrifikuar duke u izoluar bashkë me të moshuarit.
“Dua të falenderoj me gjithë zemër stafet e këtyre shtëpive të të moshuarve sepse kanë ndenjur mbyllur bashkë me ju. Ju kanë ruajtur ju, edhe fatmirësisht nuk kemi pasur tragjedi si ato që kanë ndodhur nëpër Europë në shtëpitë e të moshuarve, sepse kanë sakrifikuar në mënyrë të jashtëzakonshme, të gjitha stafet që janë mbyllur brenda bashkë me ju. Këtu faktikisht ka qenë karantinë totale dhe është bllokuar dera për virusin”, tha kryeministri Rama.