Grupi parlamentar socialist do të mblidhet ditën e nesërme me drejtuesit teknikë të qarqeve. Burime bëjnë me dije se në fokus të diskutimeve do të jetë organizimi i asamblesë dhe raportimi për qarqet. Nuk dihet ende se në cilën orë do të mblidhet grupi parlamentar socialist.
Ndërkohë, asambleja e Partisë Socialiste do të mbahet në javën e parë të tetorit. Ajo do organizohet në 3 rajone, një në Shkodër, Fier dhe Tiranë për të bërë të mundur respektimin e masave anti-covid dhe do të lidhen me njëra tjetrën on line, ku do të njoftohen dhe vendimet.
Rreth dy javë më parë, në një mbledhje në selinë e PS-së, u emëruan drejtuesit politikë në qarqe. Qarku i Tiranës u nda mes Elisa Spiropalit dhe Ervin Bushatit. Ndërsa pjesa e Bashkisë së Tiranës do të drejtohet nga kryebashkiaku Erion Veliaj. Në Durrës u largua Vangjush Dako dhe në vend të tij shkoi si drejtues i përkohshëm kryeministri Edi Rama. Në Elbasan u konfirmua Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla.
Në Shkodër shkoi Ilir Beqaj, në vend të Ditmir Bushatit. Në Lezhë u konfirmua Lindita Nikolla. Në Vlorë Damian Gjiknuri. Në vend të Ilir Beqajt, në Dibër do të jetë Olta Xhaçka, e cila drejtoi këtë qark edhe në zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Në Korçë shkon Niko Peleshi në vend të Elisa Spiropalit.
Fieri nuk ndryshon me Gramoz Ruçin, po ashtu edhe Gjirokastra me Bledi Çuçin. Në Kukës drejtimi politik i PS iu besua Safet Gjicit, i zgjedhur kryetar bashkie në zgjedhjet e 30 qershorit të kaluar.
Drejtuesit e rinj politik në qarqe; Tiranë; Qarku – Elisa Spiropali, Ervin Bushati; Bashkia Tiranë – Erion Veliaj; Durrës – Edi Rama; Elbasan – Taulant Balla; Korçë – Niko Peleshi; Vlorë –Damian Gjiknuri; Lezhë – Lindita Nikolla; Shkodër – Ilir Beqaj; Kukës – Safet Gjici; Fier – Gramoz Ruçi; Dibër – Olta Xhaçka; Gjirokastër – Bledi Çuçi