Rama: “me refuzimin e dialogut po rrezikojnë të humbasin me duart e tyre diçka që e krijuan vetë, si burim i një energjie të madhe për të ndryshuar Universitetin”

“Dialogu është mënyra e vetme për zgjidhjen e 8 kërkesave të studentëve”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, ndërsa paralajmëroi studentët se “me refuzimin e dialogut po rrezikojnë të humbasin me duart e tyre diçka që e krijuan vetë, si burim i një energjie të madhe për të ndryshuar Universitetin”.

Në një takim të organizuar me studentë dhe pedagogë në Universitetin Bujqësor në Tiranë, Kryeministri Edi Rama ftoi sërish studentët për dialog për 8 pikat e protestës studentore dhe Paktin për Universitetin mes qeverisë e studentëve.

“Nuk ka asnjë vend të ngjashëm në histori, ku të ketë ndodhur kjo që po ndodh tani. Është hera e parë që ndodh që studentë të ngrihen në protestë dhe të refuzojnë të diskutojnë dhe t’i tremben vetes së tyre për të konfrontuar argumentet dhe opinionet. Aty ku jeni ju me megafon në dorë unë kam qenë, këtu ku jam unë ju mbase do të vini, por ajo që ju them është se megafoni është shumë i nevojshëm kur s’të dëgjon njeri. Në momentin kur pala së cilës ti i flet me megafon, të thotë ‘hajde ulemi’, dhe ti nuk do atëherë ka një problem me ty”, iu drejtua Rama studentëve.

Refuzimi për të folur, sipas Ramës, nuk është argument. “Mua më duket se ju jeni shumë larg nga ata studentët e atij dhjetorit tjetër. Tmerrësisht larg, sepse ata studentët u ngritën kundër një regjimi që nuk dihej se çfarë mund t’u ndodhte, edhe mund të nxirrte tanket. Dhe u ngritën në mënyrë paqësore dhe kërkuan që regjimi të ulej në tavolinë dhe i vajtën përballë përfaqësuesit më të lartë të diktaturës, ia thanë çfarë kishin për të thënë dhe në fund fare fituan”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se problemet në arsimin e lartë janë shumë të gjera se sa ato 8 pika dhe secili universitet ka specifikat e veta, ndaj nevojitet dialogu për të adresuar çdo problematikë. /atsh

Loading...