Në përurimin e memorialit të holokaustit, kryeministri Edi Rama risolli në vëmendje disa episode rrëqethëse të ndodhura në atë kohë në vendin tonë, ku shqiptarët iu hapën dyert hebrenjve të pushtuar nga nazistët.
Në fjalën e tij, Rama përmendi disa familje shqiptare, që sakrifikuan jetën e tyre apo të të afërmve për të shpëtuar jetën e shumë hebrenjve.
Sipas kreut të qeverisë, kjo është një histori mahnitëse për Shqipërinë, që me episodet, personazhet, momentet epike të përpjekjes së njerëzve të drejtë, mbetet një njollë në ndërgjegjen e Hollivudit.
“Nipër e mbesa do mund t’iu tregojnë fëmijëve të tyre kuptimin e këtyre tre fjalëve të shkruara në këto tre gurë, që jo rastësisht kanë tre gjuhë, hebre, shqipe dhe të atyre që me forcën e fuqisë së madhe në kërkim të një bote më të mirë bënë të mundur clirimin e mbarë botës nga mallkimi i madh nazist. Historia e mbrojtjes dhe shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri është mahnitëse, por nuk është fillimi i historisë së një marrëdhënie shumë të cuditshme mes shqitarëve dhe hebrejve dhe mes popullit hebre dhe Shqipërisë, që daton në shekullin e II pas erës sonë, kur për herë të parë hebrejtë u shfaqën në brigjet e Adriatikut dhe më pas në shekujt XV dhe XVI, kur ata u shfaqën dhe instaluan në pika të ndryshme.
E dyta që vlen të kujtohet është se para luftës së dytë botëtore, para se kjo marrëdhënie të shpërfaqej në formën më fisnike dhe mbresëlënëse, Shqipëria ishte i vetmi vend që në legjislacionin e saj kishte të miratuar shabatin, që do të thotë se të gjithë qytetarët që jetonin në këtë vend dhe që i përkisnin popullit hebre kishin të drejtën të mos punonin ditën e premte dhe askush nuk kishte të drejtën që për këtë t’iu ndërpriste shpërblimin për punën.
Dua të them me bindje që Shqipëria me episode, personazhet, momentet epike të përpjekjes së njerëzve të drejtë, mbetet një njollë në ndërgjegjen e hollivudit, që ka prodhuar disa kryevepra lidhur me këtë epokë, por që me siguri do të kishte prodhuar shumë më tepër kryevepra edhe më të pabesueshme, nëse do të ishte referuar ndaj episodeve të shpëtimit të hebrejve në Shqipëri.
Janë realitete nga më të mahnitshmet, që nga udhëtimi me kuaj i një familjeje, e cila për 24 orë transportoi 17 hebrenj, familja Bicaku, në momentet e ndërrimit të pushtuesve menjëherë pas kapitullimit të Italisë fashiste dhe preokupimit të nazistëve. Apo familja nga Kavaja që sakrifikoi vëllanë për të shpëtuar hebrenjtë. Apo familja e Nuro Hoxhës, një histori tjetër mahnitëse, që i dha strehim katër familjeve hebreje, ku njëra dëshmoi se në momentet e hapjes së derës dëgjoi nga i zoti i shtëpisë fjalë të pabesueshme ‘rrini të qetë, asgjë e keqe nuk do të ndodhë, nga sot jemi një familje dhe unë e i bir do përgjigjemi me jetë për ju’”, tha Rama.