Ai komentoi rrethanat që e detyruan atë të marrë postin e ministrit të Jashtëm, pas mosdekretimit të Gent Cakajt në këtë post nga Presidenti Meta.
“Në kushtet kur nuk ka një Gjykatë Kushtetuese ende, dhe në pritje të formimit të Gjykatës së re Kushtetuese, për të trajtuar në rrugë institucionale shkeljen e Kushtetutës nga ana e Presidentit, u detyrova të marr këtë vendim. Duke e besuar nga njëra anë, se projekti i qeverisë së re nuk duhet cënuar dhe nga ana tjetër, nuk do të duhej të zgjidhej një tjetër ministër i Jashtëm për një periudhë të shkurtër”, – sqaroi Kryeministri Rama.
“Ne kemi përgatitur padinë, në fakt duhet të jenë një numër padish në Gjykatën Kushtetuese për një sërë shkeljesh nga ana e Presidentit, por edhe për rastin konkret. Kjo është një çështje që duhet zgjidhur qartë dhe përfundimisht, në kushtet kur Presidenti ka marrë përsipër të veprojë në kundërshtim me traditën e asaj zyre dhe me të gjithë paraardhësit, pavarësisht se kanë qenë të një pale, apo një pale tjetër. Askush nuk e ka bërë këtë më parë”, – tha Rama. /atsh/