Kryeministri u prit në një ceremoni të veçantë zyrtare në Pallatin Mbretëror në Monako nga Princi Alberti II dhe kreu i qeverisë së Monakos, Serge Telle.
Në takimin e zhvilluar, Kryeministri Edi Rama dhe Princi Alberti II vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm mes dy vendeve në fusha si ajo e mjedisit, turizmit, marinës, etj. dhe theksuan angazhimin e tyre për ta thelluar më tej këtë bashkëpunim në të ardhmen.
Në një moment të veçantë, Princi dekoroi Kryeministrin me medaljen e Komandantit të Urdhrit të Shën-Karlit të Principatës së Monakos. Urdhri i Shën Karlit është dekorata më e lartë e Principatës se Monakos. Është themeluar nga paraardhësi i Albertit II, Princi Karl III, më 15 mars 1858.
Kryeministri i Shqipërisë u nderua me këtë urdhër gjatë vizitës së tij zyrtare në Principatën e Monakos më 10 prill 2019, jo për reciprocitet, por për merita të veçanta në forcimin e marrëdhënieve mes dy shteteve dhe angazhimin e tij në mbrojtjen dhe promovimin, si faktorë zhvillues për Mesdheun, të bregdetit dhe zonave detare.
Gjithashtu Princi Albert II, vlerëson nëpërmjet kësaj dekorate Kryeministrin si një personalitet të kulturës./atsh/