Rama: Protestat nuk cenojnë qeverinë, godasin turizmin dhe ekonominë

“Protestat godasin ekonominë familjare, pasi frenojnë turizmin dhe konsumin”, deklaroi sot në një takim me banorë të Beratit, Kryeministri Edi Rama.

“Shqipëria është shumë afër çeljes të negociatave zyrtarisht me BE-në dhe ne gjendemi në një situatë politike absurde, ku ata që janë zgjedhur për të përfaqësuar popullin në parlament kanë vendosur të braktisin detyrën dhe të dalin në rrugë duke nxitur dhunë dhe duke bërë thirrje për ndryshim të qeverisë me dhunë”, tha Rama.

Kryeministri kujtoi se “këto gjëra, Shqipëria i ka parë shumë vite më parë dhe dukej sikur më në fund ishte krijuar maturia e nevojshme për të mos bërë budalliqe të këtyre dimensioneve”.

Ata që përfaqësojnë PD-së dhe LSI-në, sipas Ramës, “po shfaqen në kundërshtim të plotë me interesat e vendit dhe sensin logjik të jetesës demokratike”.

“Me metoda të tilla e vetmja gjë që nuk preket është qeveria”, tha Rama, duke theksuar se në fakt preket Shqipëria dhe çdo familje shqiptare.

Kryeministri foli për ndikimin që kanë protestat dhe kaosi i krijuar nga opozita për çdo familje shqiptare, qoftë ajo socialiste apo demokrate. “Protestat frenojnë turizmin dhe kjo do të thotë më pak qarkullim të ardhurash për këdo që kanë ndërtuar një biznes të vogël, një bujtinë apo një dyqan”, tha Rama.

Familjet shqiptare, tha Rama, konsumojnë më pak në momentin kur ka thirrje për prishje e shkatërrime.

“Kjo punë nuk ka shans të mbarojë me prekjen e një fije floku të shumicës qeverisëse, por ajo që humbet më tepër është ekonomia dhe familjet e zakonshme. Kur flasim për shifrat e turizmit nuk flasim për statistika të reshjeve, por për masa të tëra konsumatorësh që duke u rritur, rrisin ekonominë dhe krijojnë mijëra vende pune. Po ashtu krijohet rritje e volumit të mesazheve pozitive që shpërndahen kudo. Goditje të tilla vonojnë dhe i shtyjnë për më larg ato mundësi që ne i kemi afër”, tha Rama.

Detyra jonë, tha Rama, “është t’i qëndrojmë besnik kontratës që kemi me shumicën e shqiptarëve që na dhanë mandatin për të qeverisur deri në 2021”, tha Rama.

Kryeministri shprehu bindjen se opozita zgjodhi këtë rrugë pasi ka frikë nga humbja në zgjedhje dhe nga drejtësia. “Në qershor ata do të dorëzojnë bashkinë e Beratit dhe bashkë me të edhe bashkitë e Kuçovës dhe të Skraparit. Të treja do t’i dorëzojnë paqësisht”, tha Rama. /a.g/

Loading...