Kryeministri Edi Rama ka reaguar një ditë pas arrestimit të ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka. Duke iu përgjigjur komentuesve në Facebook-un e tij, Rama shkruan se arrestimi i ish-ministrit nga SPAK për dosjen e inceneratorëve është çështje individuale e vetë Lefter Kokës dhe jo politike apo partiake.
Kreu i qeverisë shprehet se Partia Socialiste nuk do të bëhet zyrë avokatie për askënd.
Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka u arrestua pas hetimeve të SPAK për inceneratorin e Elbasanit. Ai akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe shpërdorim detyre. Për të njëjtën çështje është vendosur arrest në burg në mungesë ndaj Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, të cilët nuk janë arrestuar ende.
Reagimi i Kryeministrit Edi Rama:
“Halle-halle kjo dynja, halli-hallit nuk i ngja, thotë populli. Por që t’i përgjigjem thelbit të komentit tënd, edhe impiantet moderne të përpunimit të mbetjeve, që i kanë hapur rrugën e shpëtimit afatgjatë nga ndotja e rëndë e plehrave zonës së Elbasanit, Tiranës e Fierit gjithashtu, edhe Reforma në Drejtësi po se po, janë vepra të shumicës sonë qeverisë për të cilat unë jam e do të jem gjithnjë krenar, kështu që euforia baltosëse e atyre që bëjnë politike me akuza e me moton shpif e shpif se diçka do mbetet, për arsye të ndalimit dje nga SPAK-u të ish-ministrit të Mjedisit, nuk më bën asnjë përshtypje, sepse nga njëra anë investimi në Elbasan është aty, në sytë e të gjithëve e në bazë të kontratës tanimë ai është pronë publike e bashkisë së Elbasanit që do të shërbejë për të vazhduar mbrojtjen e zonës nga ndotja, ndërsa nga ana tjetër çështja e ish-ministrit me SPAK-un dhe drejtësinë, nuk është as çështje politike, as çështje partiake, as çështje kolektive, po çështje individuale.
Ne nuk e kemi udhëhequr dhe nuk e mbështesim pa kushte Reformën në Drejtësi, si palë politike po si forcë udhëheqëse politike e morale e shqiptarëve pa dallim, kështu që për mua e për Partinë Socialiste mbetet e pandryshuar vija e kuqe e ditës së parë në detyre: Cilidoqoftë, pa dallim partie duhet të përballet vetë me drejtësinë!
Dhe cilindoqoftë ndër ne, që merret si i pandehur nga organet e pavarura të drejtësisë, duhet të ballafaqohet me drejtësinë bashkë me avokatin e vet, sepse Partia Socialiste nuk është zyrë avokatie e askujt prej nesh dhe deri në vendimin përfundimtar gjyqësor, askush nder në që ka punë me drejtësinë nuk mund të jetë pjesë e familjes sonë politike. Kaq”.