Rama: Shpëtuam mësuesit nga politika, tani problem drejtorët e shkollave

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “nisma e re e shkollës së drejtorëve, do të sjellë përmirësime të mëtejshme në sistemin arsimor”.

Në prezantimin e buxhetit 2019 për arsimin, Rama tha se “ne kemi shpëtuar mësuesit nga politika. Sot asnjë mësues nuk ka pse të ketë frikë se me kë është, për kë voton, ku shkon, kë takon, kush e pa, sepse vendin e punës e garanton me meritë. Nuk është e njëjta gjë për drejtorët e shkollave. Kjo është e vërteta, pavarësisht se kemi bërë disa ndryshime të rëndësishme. Vitin e shkuar kemi ndërruar rreth 300 drejtorë dhe i kemi zëvendësuar me mësuesit më të mirë, e vërteta është që kemi akoma shumë, po them pa fyer askënd, material skarco në drejtimin e shkollave”.

Nëse politizimi nuk është më problem tek mësuesit, tha Rama, mbetet problem drejtorët e shkollave.

“Kjo është e vërteta. Nëse ministra, deputetë, kryetarët e bashkive, njerëzit me influencë politike e mësuan se nuk mund të futen mik për të futur njerëz në punës si mësues, se nuk bëhesh më dot mësues po nuk kalove testin dhe po nuk more pikët, tani vazhdon avazi po mirë mësues, por të paktën të fusim ndonjë drejtor. Kjo do të marrë fund, se kjo është njësoj si të bësh një skuadër me lojtarët më të mirë të mundshëm dhe të vësh në krye një trajner që merr vesh më pak nga loja sesa edhe lojtari i fundit rezervë. S’mund të funksionojë”, – tha Kreu i Ekzekutivit.

Ai shtoi se “kemi shumë drejtorë të mirë, por kemi edhe shumë që duhet të largohen”.

“Ka shumë drejtorë që mund të bëhen shumë të mirë por mund të mësohen, dhe shkolla e drejtorëve është një shkollë për t’i kthyer drejtorët e shkollave në administratorë realë të gjithë procesit”, – nënvizoi Kryeministri Rama. /atsh

Loading...