Kryeministri Edi Rama ka thënë sot se i vetmi që përfiton nga situata e tensionuar mes Kosovës dhe Serbisë është Vladimir Putin.
Më tej Rama u bëri thirrje Vuçiç dhe Kurtit qëq ti japin fund luftës së tyre politike si “Tomy dhe Jerry.
Deklaratat, Rama i bëri në një konference me gazetarët.
“Marrëdhëniet duhet të normalizohen dhe njohja e ndërsjellët të bëhen de facto. Sa herë e duan politikat e brendshme sa në njërin apo në tjetrin breg fillojnë konfliktet, që vazhdimisht u kujtojnë të tjerëve se ky rajon është ai që mezi çdo ditë po përpiqet të heqë damkën e historisë dhe papritur rizgjohet në anën e gabuar.
Prandaj është e rëndësishme të kuptojnë të tërë që flasin për vëllezër të mëdhenj e të vegjël te ata që kërkojnë arsye për të mos pasur arsye për të shtyrë këtë proces se interesi ynë kombëtar si shtet kërcënohet nga kjo situatë. Ky rajon nuk është as i Albinit, as i Aleksandrit. Rajoni është i shteteve e popujve në të. Kemi vuajtur boll nga nacionalistët, nacional-folkloristët dhe përplasjet e vazhdueshme që sot nuk kanë justifikim sepse jemi në mes të një Europe që kërkon të mbështesë paqen. Kjo situatë i shkon për shtat vetëm Rusisë, asnjë fuqie tjetër. Nga këto përplasje dhe kjo paaftësi për t’u ulur me durim nuk fiton as Europa, vetëm Rusia.
Duhet të dalim nga kjo lojë politike “Tomy dhe Jerry” e të evitojmë skenarët e izolimit të Kosovës, por edhe Serbisë. Nuk janë të mira për interesin kombëtar të Shqipërisë që kërkon të përparojë dhe kërcënohet nga ato që ndodhin rrotull”, u shpreh Rama.