Kryeministri Edi Rama u bëri sërish thirrje qytetarëve të solidarizuar me banorët e dëmtuar nga tërmeti që të mos dërgojnë më ndihma ushqimore dhe rroba, pasi kanë ardhur pafund dhe hapësirat e magazinimit po shteren.
“Ju lutem, ju lutem mos dërgoni më ndihma ushqimore dhe rroba. Kanë ardhur pafund dhe hapësirat e magazinimit po shteren.
Në Portin e Durrësit s’ka më kapacitet për depozitimin e tyre dhe nevoja është përmbushur e tejkaluar, falë shumë njerëzve, sipërmarrjeve, organizatave, institucioneve brenda e jashtë! Gjynah nga Zoti të skadojnë a të kalben nga mospërdorimi”, tha Rama.
Kryeministri falënderoi qytetarët, ndërsa u bëri thirrje të mos dëgjojnë ata që spekulojnë me episode sporadike konfuzioni të natyrshëm në situatën e jashtëzakonshme ku jemi.
“Faleminderit shumë, me zemër, por ju lutem mirëkuptimin tuaj. Ju lutem mos dëgjoni ata që spekulojnë me episode sporadike konfuzioni të natyrshëm në situatën e jashtëzakonshme ku jemi”, tha kryeministri.
Rama tha se “nuk ka vjedhje ndihmash e as shitje ndihmash, në asnjë lloj niveli shqetësues, por bëhet fjalë për episode krejt të parëndësishme për nga përmasa, apo për shfaqje e postime provokatorësh të pashpirt, në lumin e ndihmave të solidaritetit fantastik”.
“Ju lutem kuptoni se problemi i emergjencës fillestare të ushqimit dhe veshmbathjes se fatkeqve, është tanimë i zgjidhur dhe i tejkaluar falë jush. Ju lutem solidarizohuni për të përballuar luftën e vërtetë për strehimin e tyre dinjitoz”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se mund të kontribuoni me një shumë sado modeste, sipas mundësisë suaj, në adresën unike e-albania.al/dhuro”. “Ju lutem, mos dëgjoni të paudhët që hedhin dyshime e mbjellin mërzi mbi kupën e shpirtit tuaj të dëshpëruar, duke aluduar lloj-lloj ligësish e pabesish”, shtoi Rama.
Kryeministri tha se “ky është momenti ynë i ballafaqimit me Zotin e shqiptarëve dhe nuk është ora e kujtdo që e mohon atë Zot, duke bërë politikë”.
“Ju lutem besojeni, ky është momenti ynë i ballafaqimit me Zotin e shqiptarëve dhe nuk është ora e kujtdo që e mohon atë Zot, duke bërë politikë apo kallur mërzinë e vogëlsisë së vet, në shpirtin tuaj bujar. e-albania.al/dhuro. Zoti bekoftë Shqipërinë dhe ju të gjithë pa dallim e frenoftë gjuhën e kujtdo s’di çfarë flet në këtë orë sprove të rëndë për forcën e zemrës shqiptare”, tha Rama./atsh