Në këtë komunikim, Rama i është kthyer sërish të ashtuquajturit ligji anti-KÇK, duke thënë se kushdo që është akuzuar nga Prokuroria brenda apo jashtë vendit dhe i ka shpëtuar drejtësisë, do të përgjigjet.
“Viti 2020 duhet të shënohet si viti kundër forcës së krimit. Me të nisur Viti i ri tërmeti i shtetit do të bjerë fuqishëm mbi të fortët, që i bëjnë karshillëk komunitetit dhe këtij vendi, që nuk meriton njollën e pisllëkut. Kush është akuzuar nga Prokuroria dhe i ka shpëtuar drejtësisë, duhet të provojë pastërtinë e burimit të pasurisë. Kush i ka shpëtuar drejtësisë me anë të KÇK, do të përgjigjet”, tha Rama.
Edi Rama theksoi se brenda vitit 2020 do të marrë fund historia e shërbimeve me dosje sa një mal, duke nënvizuar se punonjësit e shtetit do të jenë në shërbim të qytetarëve.
“Nisja e një pune për të marrë veten pas tërmetit na jep mundësinë të bëjmë një Shqipëri tjetër. Duhet të shtyjmë me forcë përpara dhe duhet të bëjmë cdo punë që nuk duhet bërë që nesër. Me ndërtimin e shtëpive, do ta kthejmë Vitin e Ri një vit të ri, të shtëpisë sonë të përbashkët. Deri në fund të vitit 2021 ata plagë do të kthehen në forcë besimi.
Brenda vitit 2020 cdo familje jashtë qytetit që ka humbur banesën individuale, do hyjë në banesë më të mirë. Do të kemi ngritur kantieret e reja që më 2020.
Me fillimin e sezonit të ri 2020 -2021, fëmijët e prekur do të shkojnë në shkolla të reja. Brenda vitit 2020 do marrë fund historia e shërbimeve me dosje sa një mal. Viti 2020 do të jetë epokë e re shërbimi. Punonjësit në shërbime do jenë shërbëtor të qytetarëve”, deklaroi Rama.