Gjiganti metalurgjik “Trepça” është regjistruar si kompani në bazë të ligjeve të Kosovës. Këtë e ka barë të ditur, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj përmes një statusi në Facebook.
Para këtij vendimi, ka pasur kundërshtime nga ana e Serbisë që “Trepça” të mos regjistrohet në Kosovë si kompani
Kryeministri Ramush Haradinaj ka dhënë lajmin e madh përmes Facebookut, ku ka treguar se gjiganti metalurgjik në Mitrovicë është regjistruar si kompani në Kosovë.
“Më në fund lajmi i madh. Gjiganti Trepça, pas votimit në Kuvend të Statutit të saj, është regjistruar si kompani në bazë të ligjeve të Kosovës. Trepça do të rikthehet me shkëlqimin e dikurshëm dhe do të jetë krah i fuqishëm i ekonomisë sonë. Urime e me fat!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook, transmeton Express.
Regjistrimi i “Trepçës” si kompani vjen pasi në Kuvendin e Kosovës muaj më parë, statuti i saj mori dritën e gjelbër për t’u regjistruar si shoqëri aksionare, ku 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës dhe 20 për qind janë aksione të punonjësve të “Trepçës”.
Miratimi i Ligjit për “Trepçën”, në tetor të vitit 2016 dhe statuti i “Trepçës” kishte nxitur reagimin e Beogradit zyrtar, pasi që këtë kombinat Serbia vazhdon ta konsiderojë si pjesë të ekonomisë së saj. Ata në vazhdimësi kanë kërkuar që çështja e “Trepçës” të futet në dialog me Serbinë.