Kryeministri Edi Rama ka reaguar në Twitter pas vendimit të marrë në Këshillin e Ministrave për mbylljen e shkollës private turke në Tiranë, “Mehmet Akif”.
Kreu i qeverisë mohon që pas këtij vendimi të fshihet diçka tjetër si arsye, përveç asaj që e quan zbatim i barabartë i ligjit.
“Pas çdo vendimi kërkohet një qëllim tjetër nga i vërteti dhe bombardohet publiku me lajme të rreme e me teori konspiracioni! S’ka asgjë të tillë dhe asnjë qëllim tjetër përveç zbatimit të barabartë të ligjit në rastin e heqjes së një liçence shkolle si plot të tjera më parë”, thekson Rama.
Reagimi i plotë i kryeministrit Rama:
Pas çdo vendimi kërkohet një qëllim tjetër nga i vërteti dhe bombardohet publiku me lajme të rreme e me teori konspiracioni! S’ka asgjë të tillë dhe asnjë qëllim tjetër përveç zbatimit të barabartë të ligjit në rastin e heqjes së një liçence shkolle si plot të tjera më parë.
Të shesësh godinën ku ke lejen e aktivitetit shkollor dhe të hapësh aktivitetin diku tjetër, pa marrë lejen sipas ligjit, pa plotësuar kriteret e pa përmbushur standartet e kërkuara ligjërisht, është një shkelje për të cilën ligji parashikon heqjen e liçencës.
Përdorimi i fëmijëve pastaj për të fshehur fajin karshi ligjit, prindërve dhe vetë nxënësve, duke luajtur rolin e viktimës së qeverisë, kur në fakt je verifikuar jo një po dy herë në shkelje, tregon ndërgjegje të ulët në raport me misionin e lartë të një vatre edukimi.