Pasi Operacioni Forca e Ligjit i la 48 orë afat për deklarimin e pasurisë, ka reaguar motra dhe avokati i Lulzim Berishës.
Mbrojtësi ligjor i Lulzim Berishës ka deklaruar për “balkanweb” se: “Në adresë të shtetasit Lulzim Berisha nuk ka mbërritur asnjë kërkesë, e gjitha është një zhurmë mediatike”.
Avokati Detar Hysi, tha se klienti i tij, Lulzim Berisha nuk ka asnjë pronë në emër të tij, pasi janë sekuestruar dhe janë vënë në pronësi të shtetit: “Prej ditës që ka dalë nga burgu, Lulzim Berisha ka në posedim të tij, një bar kafe me qira, të pajisur me numër NIPT-i dhe kryen rregullisht pagesat e taksave, si edhe një autobot që shpërndan naftën për anijet, gjithashtu konform ligjit”.
Po ashtu ka reaguar edhe motra e Berishës, duke theksuar se pasuritë e të vëllait të saj janë të sekuestruara nga shteti.
“Burgun e përjetshëm e ka hequr Gjykata e Lartë. Pasuritë e tij janë të sekuestruara dhe të kaluara në emër të shtetit me vendim të gjykatës se Krimeve të Rënda. Ndërsa unë kam vendimin e Gjykatës së Lartë që më janë kthyer ato prona në emër tim dhe kam dhe pafajësi po nga ajo gjykatë për sa i përket akuzës për pastrim parash”, ka pohuar ajo.