Kriza sportive e “Realit të Madridit” me ndeshje dhe rezultate të dobëta, që çuan në shkarkimin e Julen Lopetegui, duket se nuk ka ndikuar në financat e klubit, të cilat duken më të forta se kurrë. Asambleja e Përgjithshme e klubit ka deklaruar buxhetin e vitit 2017/18 me një shumë prej 751 milionë euro, 11% më shumë se një vit më parë. Të ardhurat nga marketingu u rritën me 16%: plot 297 milionë euro dhe treguesit janë se të ardhurat do të rriten në 305.24 milionë euro këtë sezon. Sponsorizimi dhe licencimi, të cilat janë burimet kryesore të të ardhurave të klubit madrilen, qëndrojnë në shifrat e 239.68 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 18.2%.
Kur Florentino Perez foli para tifozëve rreth periudhës historike që klubi po kalon, si në planin sportiv, ashtu edhe në atë ekonomik, para se të shpenzojë 575 milionë euro për rimodelimin e stadiumit “Santiago Bernabeu”, ai kishte një “as nën mëngë”: Rinovimi i marrëveshjes së sponsorizimit me kompaninë gjermane të veshjeve sportive “Adidas”, e cila është gati të nënshkruhet. Kjo do të thotë 1,100 milionë euro që do të derdhen në arkën e klubit gjatë dhjetë viteve të ardhshme. Do të ishte “kontrata e shekullit” e marketingut sportiv në Europë, dhe do ta bënte fanellën e “Realit” bluzën më të shtrenjtë në sportin botëror. Me të ardhura të garantuara prej 110 milionë euro/vit dhe një pjesë të ndryshueshme, në varësi nga shitjet, shifra që do të përfitonte “Reali” mund të rritet në 150 milionë euro.
Për të parë se ç’perspektivë hap kjo shumë për klubin madrilen, mjafton të shohim e të krahasojmë atë shifër me shifrat që kompania “Nike” shpenzon për sponsorizime në NBA, ku për të 21 ekipet e basketbollit amerikan jep 1.000 milionë dollarë për tetë vite. Me fjalë të tjera 125 milionë dollarë, ose 110 milionë euro në një sezon për 21 skuadra, e cila është e njëjtë me atë që “Adidas” do të paguajë për “Real Madridin”.
“Fly Emirates”, një tjetër nga 16 sponsorët që klubi madrilen ka, përfundoi një marrëveshje në shtator 2017 prej 70 milionë eurosh për një vit dhe krahasohet me 55 milionë euro që “Rakuten” paguan Barcelonën dhe “Chevrolet” i jep “Manchester United”.
Departamenti i marketingut i klubit ka punuar për disa vite me “Adidasin” për të arritur në nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje. Pozita e fortë e klubit, sidomos me 3 fitoret rradhazi të Ligës së Kampionëve kanë shkuar në favor të klubit. /marca/m.z/r.e/
TIRANË,5 nëntor/ATSH/