Në 10 muajt e parë të këtij viti më shumë se 47 mijë qytetarë kanë kryer ndërhyrje kirurgjikale me standarde bashkëkohore gjithashtu janë kryer dhe 7,3% më shumë ndërhyrje të kompleksitetit të lartë se një vit më parë.
“Ndërhyrjet e kompleksitetit të lartë tashmë kryhen edhe në spitalet rajonale, duke mundësuar shërbime cilësore afër vendbanimit për qytetarët”, shprehet ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu sjell në vëmendjen realizimin e një interventi delikat në tru të njërës prej arterieve kryesore që furnizon trurin tek një pacient 55-vjeçar, i cili u realizua me sukses në spitalin rajonal të Shkodrës nga dr. Besmir Grizha.
“Dr. Besmir Grizha dhe ekipi i mjekëve kirurgë dhe anestezistë në spitalin rajonal të Shkodrës kanë realizuar me sukses një intervent delikat në tru, të njërës prej arterieve kryesore që furnizon trurin tek një pacient 55-vjeçar, duke ulur rrezikun e invalidizimit”, shprehet ministrja Manastirliu.
“Spitali i Shkodrës është i dyti pas QSUT që realizon këtë ndërhyrje të nivelit të lartë për trajtimin e ishemisë së trurit”, tha ministrja. /atsh