Rebelët e vetëm kundër talebanëve, kush është djali i ‘luanit’ që po udhëheq rezistencën?

Talebanët morën pushtetin në Afganistan, por një krahinë ende nuk ka ulur armët duke vijuar rebelimin. Talebanët deklarojnë se kanë rrethuar krahinën e fundit që i reziston kontrollit të tyre, Luginën Panjshir të Afganistanit.

Por milicitë vendase dhe ish-ushtarët e ushtrisë afgane atje thonë se nuk do të dorëzohen kurrë.

Njeriu që drejton forcat anti-talebane të luginës është Ahmad Massoud, një 32-vjeçar i diplomuar në Akademinë Ushtarake Sandhurst Royal dhe djali i komandantit legjendar të rezistencës Ahmad Shah Massoud.

Babai i tij, i njohur si “luani i Panjshir”, mbronte rajonin kundër pushtimit sovjetik në vitet 1980 dhe regjimit taleban në vitet 1990. Ai u vra nga një skuadër e Al Kaedës në 2001, kur Ahmad Massoud ishte adoleshent.

Pasi u trajnua në Britani si një kadet i huaj dhe mbaroi studimet Ahmad Massoud u kthye në Afganistan në vitin 2016. Ai themeloi Frontin e Rezistencës Kombëtare anti-talebanë (NRF) muajin e kaluar.

“Unë do të preferoja të vdisja sesa të dorëzohesha” tha Massoud në intervistën e tij të parë që kur talebanët morën Kabulin. “Unë jam djali i Ahmad Shah Massoud. Dorëzimi nuk është një fjalë në fjalorin tim“.

Ai tani drejton disa mijëra anëtarë të milicive lokale dhe njësive të ushtrisë. Por ai bëri thirrje edhe për mbështetje ndërkombëtare për të ndihmuar në luftimin e talebanëve pas tërheqjes së ushtrisë amerikane./ Abcnews.al

Loading...