Refuzimi i Metës për Lleshin- Rama: Nuk ka asnjë referencë kushtetuese

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se refuzimi i  Presidentit Ilir Meta për të mos dekretuar Sandër Lleshin si ministër të Brendshëm, nuk ka asnjë referencë në Kushtetutë.

Në fjalën e tij në Kuvend, në seancën e jashtëzakonshme për të votuar dekretin e Presidentit Meta për shkarkimin e ministrit Xhafaj nga posti i ministrit të Brendshëm, kryeministri Rama theksoi se “unë e kisha bindjen e plotë se Ilir Meta ishte kandidatura më e përshtatshme në rrethanat, kur Kuvendi i Shqipërisë do të zgjidhte Presidentin e shtatë të Republikës”.

“Për hir të vërtetës që kur hyri në presidencë pas asaj dalldisjes fatkeqe rrugëve të Shqipërisë me flamurin e LSI-së ai ka justifikuar thuajse plotësisht votën tonë. Ka respektuar Kushtetutën, ka peshuar fjalën dhe ka barazpeshuar qëndrimin. Por qysh prej të shtunës mbrëmë ne kemi një problem me Presidentin e Republikës, ose më saktë një problem i krijuar me Presidentin e Republikës në punën tonë si shumicë qeverisëse na ka mbledhur sot këtu”, tha Kreu i Ekzekutivit.

Më tej, Rama tha se “kushdo ka të drejtën e vet të mos na besojë , të na kritikojë, të hidhet edhe përpjetë kundër nesh po të dojë, por ama askush tjetër përveç popullit sovran as e ka e as merr dot në të drejtën e ushtrimit të mandatit tonë kushtetues”, nënvizoi Rama duke shtuar se kjo vlen edhe per Presidentin e republikës”.

Sipas tij, kushtetuta i ka përcaktuara një për një e zeza mbi të bardhë të 12 kompetencat e Presidentit të Republikës, ndër këto nuk figuron gjëkundi kompetenca e refuzimit të kryeministrit për sa kohë ky gëzon besimin e shumicës në parlament dhe po njësoj të ministrave që gëzojnë besimin e kryeministrit.

“Është pak por e sigurtë që nëse do të ekzistonte një kompetencë e tillë qoftë edhe e fshehur nëpër rreshtat e atyre 12 kompetencave të shkruara qartësisht s’ka diskutim që paraardhësi i Ilir Metës nuk do ta kishte lënë pa zbuluar. Edhe pse haptazi partiak, botërisht i njohur si artilier i zellshëm i Partisë Demokratike, pasi e bombardoi me të gjithë furinë e grykës së gojës ministrin e propozuar prej meje presidenti i 6 i Republikës e firmosi dekretin për atë ministër me duart e lidhura nga Kushtetuta e Shqipërisë”, theksoi Rama.

“Sepse Kushtetuta ua ka thënë copë me një nen të veçantë të gjithë presidentëve që janë betuar për të se nuk mund të ushtrojnë asnjë kompetencë tjetër , përveç atyre që u njihen shprehimisht prej saj dhe u jepen me ligje të tjera të nxjerra në pajtim më të”, nënvizoi kryeministri Rama. /k.s/

TIRANË, 6 nëntor/ATSH/

Loading...