Regjisori Hervin Çuli ka reaguar në rrjetet sociale i revoltuar lidhur me “Big Brother Vip”, duke e quajtur “një format vulgar”. Çuli “shpërthen” në reagimin e tij kur thotë se me këto programe “injoranca dhe fatkeqësisht rrugaçëria janë ulur këmbëkryq në shtëpitë tona”. Regjisori i referohet pamjeve të transmetuara nga festa e organizuar në “Big Brother VIP” ku banorët kanë kërcyer e kënduar në shoqërinë e muzikës latine.
Postimi i Çulit
Tmerr! Përsëri po shoh BB! Me çuan sms ca miq artistë. Ishin të skandalizuar. E pashë!…
Nuk ka mundësi!!! Më keq se kaq nuk ka ku të shkojë!!! Femra të zhveshura me kostume me tendencën e Kabaretit. Meshkuj që kërcejnë napolonin me tinguj brazilianë. Kamera që fokuson të pasmet e femrave nga kënde te ndryshme. Ora 21.00!!!
Fëmijët e disa konkurrentëve që janë aty, bashkë me prindërit motrat dhe vëllezërit, me siguri janë duke i parë. Janë duke i parë dhe fëmijët, prindërit, motrat dhe vëllezërit e gjithë Shqipërisë. Shumë nga këta do më shajnë me libër shpie për këtë koment. I mirëkuptoj, kështu janë mësuar! “Si ta edukosh ashtu do të të përgjigjet turma”- thoshte Caushesku.
Audienca e madhe, kjo ka rëndësi, pastaj qameti le të behet! “Jap një mbretëri për pak klikime më tepër”! Kabareti, kjo tendencë e lokaleve të vogla të artistëve antikomformistë të Parisit, si një shprehje e formave antiskematike ku piktorë, poetë, aktorë, muzikantë, shprehnin një revolte artistike (dadaizmi, nihilizmi artistik) kundër diktatit konservator që dominonte frymën artistike të kohës, na përkthehet turpësisht nga një format vulgar, ku injoranca dhe fatkeqësisht rrugaçëria janë ulur këmbëkryq në shtëpitë tona.
Ndofta as ia vlen të shkruash se mund të dukesh si budalla! Madje edhe mund të të rrahin!
E gjithë Shqipëria është kthyer në një BB të madh! Qeveria nuk e ka problemin tek hallet e njerëzve, por te klikimet që marrin ministrat në fb, apo insta, tani edhe ne Tik-Tok! Kryeministri herë-herë “gjykohet” përballë shefit opozitës se kush ka më shumë ndjekës në social-media.
Në shumë emisione politike shterpë po njësoj, e njëjta frymë, i njëjti banalitet. Aty ka personazhe tipike te BB, me fytyrë intelektuali, qe bëjnë sherre pa kuptim, se kështu rritet audienca. Po nuk bëre sherr nuk je për televizion! Varja, duhet me u fut ne BB, kjo do ishte zgjidhja me sa duket.
Se edhe ky koment shërben për të rrit audiencën, fatkeqësisht! Ndaj për t’a rritur edhe më shumë, mendoj se maksimumi i vlerës në komentet që bënë banorët e BB gjatë kësaj mbrëmje artistike të veçantë ishte shprehja e një prej femrave VIP aty: ” …sa të mira i ka bythët kjo mi”! Amin o zot!