Reja pas humbjes 4-1: Gjygjtarët na masakruan por gabuam dhe ne

4-1, humbje e tëpruar për nga rezultati, nëse kihet parasysh loja e të dyja skuadrave, megjithatë ngre alarmin te kuqezinjtë. Polonia goditi 4 herë në portën tonë dhe shënoi 4 gola. Pra, Lewandowski me shokë ishin tejet cinikë dhe finalizues.

Mbrojtja jonë u kap e papërgatitur në dy goditje standarde, ndërsa gaboi edhe mesfusha me dorëzimin e topit te kundërshtari. Trajneri Edy Reja ankohet edhe për arbitrat, ndonëse i kishte nga Italia e tij. Pas ndeshjes u shpreh:

“Për pjesën më të madhe të lojës ne e mbajtëm topin mjaft mirë, por me tre kartonë të verdhë pas 8 minutash ishim të masakruar. Ishin disa episode që nuk i patëm në favor dhe madje u ndëshkuam.

Kemi një penallti që ha diskutim, që nuk u akordua në favorin tonë, ndërsa kundërshtarët u falën disa herë nga kartoni. Nuk dua t’i mohoj asgjë Polonisë, ashtu siç e pranoj që gabuam në goditjet standarde, por edhe arbitrimi çaloi sonte.

Pësojmë gol lehtësisht? Bëhet fjalë për ekuilibër dhe ne kujdesemi që ta ruajmë atë në fushë, duke sulmuar, por pa harruar mbrojtjen. Sot bëmë disa gabime, pasi shpesh tregohemi naivë, duke mbajtur topin gjatë, apo duke e humbur atë në zona të rrezikshme.

Ndonjëherë është më mirë të bëjmë të thjeshtën dhe të nxjerrim topin jashtë, për të mos rrezikuar, ashtu siç ndodhi në golin e tretë. Nuk jemi të mbaruar, pasi një humbje në Poloni edhe qëndron, por sot ndikuan edhe vendimet e arbitrave. Na u mohua një penallti, pati një rast të diskutueshëm me Cikalleshin në pjesën e parë, por edhe një faull në rastin e golit të tretë të tyre.

Gjithsesi nuk jemi të mbaruar. Mungesat ndaj Hungarisë? Manaj, Hysaj dhe Bare do të mungojnë, ndërsa Abrashi dhe Gjasula nuk rrezikonin, ndaj do të jenë në fushë”.

Loading...