Mediumi prestigjioz amerikan “Forbes” e ka cilësuar Kosovën si suksesin më të madh të Ligës së Kombeve.
Në një raportim të fundit, “Forbes” ka vlerësuar se teksa për shtetet e mëdha, Liga e Kombeve ishte lehtësim nga miqësoret e zakonshme dhe ndeshjet ekzibicionale, për ekipe të tjera u konsiderua shans që të luajnë ndeshje me rivalët e të njëjtit nivel dhe rrugë më e lehtë për kualifikim për në Kampionatin Evropian më 2020.
“Dhe për një skuadër të vogël, ky mund të jetë momenti më i madh në historinë e futbollit për ta. Sigurisht, historia e Kosovës në futbollin evropian daton vetëm nga vitit 2016, por fitorja e së martës 4 me 0 ndaj Azerbajxhanit është ora më e mirë e tyre. Shteti, që u shpall i pavarur nga Serbia më 2008, luftoi gjatë dhe shumë për t’u pranuar në UEFA dhe nisi jetën pa asnjë lojtarë, pa stadium e pak më shumë se shpresë. Tani, ata kanë shans të mirë për t’u kualifikuar në Euro 2020”, shkruan “Forbes” në artikullin për Kosovën, transmeton Koha.net.
Për shkak të rangimit të ulët, Kosova u pozicionua në Ligën e fundit të Ligës së Kombeve. Aty ishin katër grupe ku fituesi i secilit grup kalon një ligë më lartë dhe shkon në “Play-Off” për të tentuar kualifikimin në Euro 2020. Kosova arriti këtë dhe do të takohet me Maqedoninë në gjysmëfinale të këtij “Play-Offi” e nëse fiton në finale përballet me fituesin e duelit Gjeorgji-Bjellorusi.
“Sistemi mund të jetë i ndërlikuar, por të gjithë në Prishtinë e dinin mirë si funksionon. Ata hynë në ndeshjen e mbrëmshme duke e ditur se një fitore u garanton progresin dhe stadiumi ishte i mbushur plot. Zhurma kur topi përfundonte në rrjetë tregon se sa shumë kuptim kishte për banorët, njëjtë sikur emocionet e lojtarëve”, shkruan më tej “Forbes”.
“Forbes” shkruan po ashtu se një sukses i Kosovës mund të nxjerrë edhe më talente të Evropës që mund të luajnë për këtë shtet. “Një nga problemet e Kosovës ishte bindja e lojtarëve më të mirë kosovarë që të luajnë për Kosovën, sidomos atyre që vijnë nga diaspora”, shkruan “Forbes”, duke dhënë shembullin e vëllezërve Xhaka, ku Taulanti u paraqit për Shqipërinë e Graniti për Zvicrën në përballjen në Kampionatin Evropian 2016. Aty përmendet edhe Xherdan Shaqiri i Liverpoolit e anëtari i Real Sociedadit, Adnan Januzaj. Të gjithë këta përmenden si disa nga qindra lojtarë kosovarë të shpërndarë në ligat evropiane.
“Për një komb që pati migrim të madh në fundin e viteve të ’90-a për shkak të luftës, një brez i ri, i përbërë nga emigrantët që lëvizën si fëmijë, apo u lindën pak pasi prindërit e tyre u larguan, mund të jetë shtytje e madhe e talenteve”, vlerëson ky medium.
“Forbes” po ashtu shkruan se shumica e lojtarëve të Kosovës janë rritur jashtë vendit duke përmendur këtu heroin e mbrëmjes të së martës, Arbër Zenelin, që realizoi hat-trick, dhe yllin e Werder Bremenit, Milot Rashica.
Në fund, “Forbes” ka shpjeguar rrugëtimin e vështirë të kombëtares së Kosovës duke e nisur me vetëm 12 lojtarë të kualifikuar për ndeshjen si mysafire ndaj Finlandës më 2016. Ky medium ka shkruar po ashtu se Kosova u detyrua të luajë në Shqipëri pasi s’kishte stadium të pranuar ndërkombëtarisht, ndërsa nuk ka lënë anash as faktin që ndeshja Ukrainë-Kosovë u zhvillua në Poloni për shkak se Ukraina nuk e njeh shtetin e Kosovës. “Për të arritur nga aty në prag të kualifikimit është e arritur mahnitëse”, shkruan “Forbes” duke shtuar në fund se Kosova ishte e fundit si e ranguar në kuadër të grupit të vet, por doli e pamposhtur e me goldiferencë të jashtëzakonshme 15:2 në gjashtë ndeshje.