Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me pamje nga transformimi i këtij parku, që po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë vendas e të huaj.
“Mirëmëngjes dhe me këto pamje nga rilindja spektakolare e Parkut Kombëtar të Divjakës, ju uroj një ditë të mbarë”, shprehet Rama.
Plazhi, laguna dhe pylli që e rrethon janë tre asetet kryesore të zhvillimit të turizmit në Divjakë, krahas monumenteve të kulturës që ndodhen në zonë.
Bashkia e Divjakës gjatë sezonit turistik ofron një guidë prej 5 km në Parkun e Divjakës, ku vizitorët njihen me gjallesat dhe bimësinë e parkut.
Vrojtimi nga kulla panoramike kur qielli është i kthjellët shkon edhe më thellë deri në Malin e Tomorrit.
Me një kullë panoramike, varka për të shëtitur vijë ujore përgjatë gjithë parkut, pyllin e gjelbëruar dhe me larmishmëri shpendësh janë disa nga aventurat që nuk duhen humbur kur viziton këtë park të rijetësuar.
Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një zonë e mbrojtur në zonën bregdetare të Shqipërisë, që përbëhet nga ekosisteme komplekse, shumë të pasura në biodiversitet dhe burime natyrore.
Parku është shpallur si zonë e mbrojtur natyrore për shpendët e ujit, si ligatinë me rëndësi ndërkombëtare sipas Konventës së Ramsarit, që nga viti 1995./atsh