Rinia dhe Iso-Polifonia bëhen bashkë në Vlorë(foto)

Rreth 200 nxënës nga shkollat e mesme të Vlorës u bënë pjesë e aktivitetit të organizuar nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare, Vlorë në nderim të ditës kur trembëdhjetë vite më parë Iso-Polifonia shqiptare është shpallur nga UNESCO ” Kryevepër e Trashëgimisë Orale të Njerëzimit.

I konceptuar si një takim midis grupeve të këngës dhe valles polifonike të shkollave, ky aktivitet i zhvilluar në teatrin ”Petro Marko” shënoi jo vetëm në pjesëmarrje por edhe në vlerësimin përmbajtësor të aktivitetit ku të rinjtë u ngjitën në skenë duke interpretuar këngë e valle autentike polifonike.

Krahas mësimit dhe edukimit apo zhanreve muzikore të kohës, nxënës të shkollave të ndryshme të Vlorës, vajza dhe djem fare të rinj përfshihen në një aktivitet mirëfilltë folklorik.

Kështu nxënësit e shkollës “Ali Demi”, “Jani Minga”, ” Halim Xhelo”, ” Pavarësia”, ” Qemal Ataturk”, ” Muço Delo”, ” Internacional”, ” Mynyr Xhindi” Vlahinë, ” Hasan Mëhilli” Dukat e deri në Himarë treguan, veç të tjerash, se vlerat e trashëgimisë tonë shpirtërore janë e mbeten të pa tjetërsueshme dhe të trashëguara në breza.

Aktiviteti u realizua në bashkëpunim me DAR dhe Qendrën e Artit dhe Kulturës të Bashkisë Vlorë, i cili shënoi pa diskutim një zhvillim të ri por edhe një sfidë në drejtim të vlerësimit dhe promovimit të vlerave të qenësishme të trashëgimisë tonë shpirtërore./atsh

Loading...