Fatbardh Kadilli akuzon kryetarin e Partisë Demokratike se shpërndoron besimi që i ka dhënë partia për të mbajtur karrigen.
Sipas tij, nuk është respektuar kryesia e partisë. “Përkundrazi, është shpërndoruar dhe po shpërndorohet dhe tani. Basha na fton të diskutojmë për masakrën elektorale dhe çfarë rruge duhet të ndjekim. Ndërkohë, në datën 26 kur u shfaq, përcaktoi vetë se çfarë duhej bërë.
Pasi Rama festoi në shesh, Basha tha unë do të vazhdoj luftën për votën. Dhe çfarë bëri, nuk mblodhi kryesinë që të merrnim në konsideratë çfarë ka ndodhur dhe çfarë duhej bërë. Thotë do mbledh fakte, kur faktet i ka dorëzuar në KAS. Po shpërndoron besimin që institucioni i ka ofruar. Pas tre javësh që ke marrë vendimet, del e thua që duhet mbledhur kryesia”.
I ftuar në Top Talk, Kadilli e konsideron Bashën arrogant të fshehur. “Ne luftojmë Edi Ramën që është arrogant dhe autoritar, por kjo sjellje me institucionet e partisë, është një arrogancë e fshehur me buzëeshje”.
Basha, shton Kadilli, po përdor vjedhjet e votave për të ruajtur postin e kryetarit. “Gjithmonë kur ka zgjedhje, do të jetë dikush që do të tentojë të manipulojë. Është alibi absolute e tij për të mbrojtur karrigen e vet. Jo se nuk ka pasur abuzim dhe përdorim të mjeteve të shtetit, por po e përdor për agjendën e vet”, thotë ai.
Më tej, kandidati për kryetar në PD pranon humbjen në zgjedhjet e 25 prillit. “Ne humbëm. Pjesë e humbjes është dhe kur vjedh kundërshtarin. Unë nuk ve fajtor kundërshtarin, bëj fajtor veten nëse humb, edhe nëse m’i vodhën. Beteja e Bashës për votën, mbaroi.
I dëmtuari i parë është Sali Berisha, sepse është investimi i tij politik. Jam i bindur se kjo parti i dhimbset shumë më tepër Sali Berishës se Lulzim Bashës”, shprehet Kadilli.