Robert Berisha feston sot ditëlindjen, nuk do e besoni dot sa vjeç bën ai

Showman Robert Berisha ka ndarë me ndjekësit shifrën që ka mbushur sot, dhe është pikërisht 44. “Robi 44, nga ta kthesh njësoj i bien”, thotë ai me humorin që e karakterizon, duke bërë ironi me ata që e lexojnë moshën mbrapsht, kur vitet kanë ikur ca si shumë.

Por, për Robertin mosha është thjesht një numër, pasi siç titullohet emisioni i tij “Robi plaket kur don vetë”, atëherë do plaket edhe Roberti. Me flokët si kur ishte 20-vjeç, fytyrën pa rrudha, trupin gjithë muskuj dhe energji non stop, ky është Roberti 44-vjeçar.

Po ku qëndron sekreti i tij që mbetet gjithmonë në formë dhe i ri? Gjatë një interviste ekskluzive për “Panorama Plus”, pyetjes se do ta konsideroje këtë kulmin tënd?, ai iu përgjigj: “Nuk e di. Nuk e mendoj asnjëherë të arrij kulmin. Shpresoj që do të kem shëndet dhe ta bëj këtë punë sa më gjatë, sepse e dua shumë muzikën!”

Po për moshën çfarë thotë, a mendon se jeta nis vërtet 40 vjeç?

“Mosha për mua është vetëm numër… Unë ndihem si 21- vjeçar. ”Robi plaket kur do vetë” është një këngë e vjetër dhe shumë e bukur”.

Është i kënaqur me paratë që fiton nga muzika?

“Pasuria s’ka kufi… Kemi një jetë normale dhe jetoj prej muzikës.”

Kënga që ia kërkojnë shpesh në eventet ku është i ftuar?

“Është kënga “Mia” normalisht, sepse është kënga ime e parë dhe është më ritmike… Kurse këngët që i preferoj unë dhe që i dua, nuk i këndoj asnjëherë, sepse janë serenata dhe në ato vende ku këndojmë ne nuk i preferojnë të rinjtë e sotëm”.

Ndërkohë, ndër sekretet e rinisë, ai zbulon se përveç genit të mirë, mban regjim të rregullt dhe bën gjithmonë palestër. Robert Berisha ishte i ftuar para ca ditësh në “Talk Love Story” për të ndarë eksperiencat e tij romantike, por edhe për të këshilluar konkurrentët e këtij formati në mënyrë që të kenë sa më shumë sukses në dashuri.

Por ai nuk i shpëtoi protagonizmit me një skenë që u bë virale në rrjetet sociale. Kleona një nga konkurrentet u ngrit në një moment të spektaklit për të puthur Robertin dhe ai me tipin e tij të hapur dhe shumë interesant, thjesht e pranoi si puthje. Ajo mori leje në fillim dhe vetë këngëtari i tha që ka lirinë ta puthë ku të dojë.

Kleona e puthi në buzë dhe situata kaloi me të qeshura në studio si nga ana e Robertit, por edhe nga konkurrentët e tjerë. Por duke qenë se asnjë puthje tjetër mes protagonistëve të formatit nuk bëri kaq bujë dhe nuk mori kaq shumë klikime, produksioni i “Love Story” ka menduar se e gjeti sekretin për të marrë vëmendje dhe ky është vetë Roberti. Mësohet se Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu i kanë propozuar Robertit që të bëhet fronist i spektaklit, ku të ketë mundësi të gjejë partneren në program.

Por Roberti, i cili ka refuzuar më parë ftesën nga “Big Brother VIP”, është shprehur se dy pengesat kryesore janë vajza Renne, pasi s’mund të qëndrojë larg saj, dhe po ashtu angazhimi për programin e tij “Robi plaket kur don vetë”. Gjithsesi mbetet një mundësi që mund t’i menaxhojë të gjitha këto dhe të mos ia prishë qefin produksionit. Nuk dihet nëse ai mund të bëhet pjesë këtë edicion të dytë të “Love Story” apo “Love Story 3”.

Ky propozim për Robertin vjen fiks një vit pasi u përfol më shumë se kurrë për romancat e tij me vajza të bukura pas divorcit. Kështu, pasi i dha fund me dy vajza të bukura, martesës me Nora Istrefin dhe lidhjes me modelen Jessica Kadiu, ai shfaqej pranë një modeleje seksi italiane, e quajtur Maria Bove.

Ishte pikërisht italiania, e cila udhëtoi drejt Prishtinës, nga ku postoi në “Instagram”-in e saj videon ku puthej në buzë me Robertin, dhe aq u desh që mediat italiane ta bënin Robertin kryetitull të lajmeve të tyre.

Aq shumë u bënë kuriozë italianët për shqiptarin e pashëm që “u rrëmbeu” italianen e showbizit, sa filluan t’i bënin biografinë e jetës, duke përfshirë në shkrimet e tyre edhe dy ex-et e tij, Norën dhe Jessicën.

Pas ndarjes nga Nora Istrefi, Robert Berisha përgjithësisht e ka mbajtur jetën e tij shumë private, duke u treguar i rezervuar për sa u përket lidhjeve të reja, ose më mirë të themi duke i mohuar ato. Ai u përfol se kishte nisur një romancë me modelen Jessica Kadiu, por këngëtari i mohoi lajmet, pavarësisht deklaratave të saj ku shprehej se kishin qenë bashkë.

Gjatë një bisede virtuale me ndjekësit në “Instastory”, kur u pyet për lidhjen e re të Robert Berishës, Jessica Kadiu u përgjigj: “Kujt i plasi? Ai burrë është një njeri që kërkon vëmendje, asgjë më shumë…”.

Të njëjtën gjë bëri edhe me Maria Bove, e njohur si Mari J, një modele dhe influencere ndërkombëtare dhe finalistja italiane në garën ndërkombëtare ‘Miss Bota’. Është pikërisht pamja e tij prej djaloshi të ri që të jetë i lakmuar nga vajza shumë të reja në moshë.

Loading...