Rokadë në FSHF/ Ja kush do të jetë shefi i ri i garave

Kampionatet në Shqipëri tashmë kanë një tjetër drejtues.

Në Federatën Shqiptare të Futbollit është miratuar një rokadë në sektorin e garave.

Mësohet se Marjus Sulejmani është tashmë shefi i ri i garave pranë institucionit të futbollit në vend.

Me rikthimin e futbollit në vend është bërë edhe kjo rokadë mes drejtuesve të sektorit që merret me organizimin e kampionateve në vend.

Kësisoj, Lysien Nurishmi zbret nga ky post pas thuajse pesë vitesh.

Komiteti Ekzekutiv në Federatën Shqiptare të Futbollit ka miratuar së fundmi një ndryshim në strukturën e drejtimit dhe organizimit të garave. Në postin e shefit të këtij sektori në FSHF është vendosur Marjus Sulejmani.

Një emër shumë i njohur edhe për klubet dhe futbollistët në vendin tonë. Sulejmani prej vitesh është pjesë e këtij sektori në FSHF si dhe prej shumë kohës është punonjës në administratën e Federatës Shqiptare të Futbollit. Duke qenë pjesë e strukturës në sektorin e garave, Sulejmani ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë me të gjitha klubet thuajse të përditshëm si edhe është prej kohësh delegat në mbarëvajtjen e ndeshjeve si në kategoritë e ulëta edhe në Kategorinë Superiore.

Me këtë rokadë, Lysjen Nurishmi pritet që të vendoset në krye të projektit të futbollit 5 x 5, të saponisur në FSHF. Nurishmi largohet nga posti i shefit të garave pas thuajse gjashtë vitesh, teksa është emëruar në dhjetor 2014.

Mirëpo, me gjithë rëndësinë e këtij sektori për mbarëvajtjen e garave, për administratën e FSHF-së nuk duket aspak i tillë teksa vihet re një neglizhencë e theksuar në mosplotësimin e organigramës së FSHF-së. Për të mos thënë, një dëshirë për të fshehur gjithçka ndodh në administratën e institucionit të futbollit.

Loading...