Padyshim që në çdo stinë, një pjatë roshnicash me pulë a zog fshati do të kënaqte oreksin dhe nepsin e kujtdo.
Kjo është një pjatë fantastike e kombinimit të roshnicave, kokrrizave të formuara nga mielli dhe vezët dhe mishit të freskët të pulës apo zogut të fshatit.
Roshnicat janë ideale për një vakt dreke apo darke.
Ato shoqërohen në mënyrë të shkëlqyer me sallata të freskëta të stinës, turshi dhe zahire të tjera të përgatitura nga amvisat shqiptare.
Ju sugjerojmë më poshtë një recetë të përgatitjes së roshnicave në shtëpi si dhe një supë të shijshme të përgatitur prej tyre.
Si të përgatisim roshnicat
Një pulë ose zog fshati 1 kg
Katër lugë gjelle vaj ulliri
Kripë
Piper
3-4 thelpinj hudhra të shtypura
Një lugë gjelle gjalpë
Lëngu i një kokërr limoni
Për Roshnicat
Në një tas hidhni gjashtë lugë miell dhe pak kripë.
Rrihni dy të verdha vezësh dhe shtojini tek mielli.
Përziejini miellin me vezët me duar duke e shkoqur me dy pëllëmbët e duarve.
Bëjeni këtë proces derisa i gjithë mielli të shndërrohet në kokrriza të vogla.
Më pas, vendosini roshnicat në një tavë që të pushojnë për 20 minuta.
Përgatitja e supës
Pastroni pulën dhe ndajeni në copa.
Në një tenxhere, shtoni vajin e ullirit dhe copat e pulës për t’i skuqur për pak minuta nga të dyja anët.
Hidhni pak kripë dhe ujë derisa të mbulohen mirë të gjitha pjesët e pulës duke e lënë që të zjejë për 20 minuta.
Ndërkohë, në një tigan hidhni një lugë gjalpë dhe skuqni roshnicat derisa të zverdhen.
Shtojini në tenxheren ku keni pulën dhe lëngun e saj dhe vendosni sërish në zjarr për të zjerë bashkë derisa supa të mpikset.
Sapo lëngu të jetë mpiksur dhe trashur pak shtoni hudhrat, lëngun e limonit, piperin e zi dhe hiqeni nga zjarri.
Kjo supë fantastike e kuzhinës shqiptare serviret e ngrohtë.