“Me rastin e 106 vjetorit të formimit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë… si djal i një ushtaraku uroj të gjithë ata që kanë shërbyer dhe shërbejnë për sigurinë kombëtare të vendit”, shkruan deputeti socialist.
Pandeli Majko, ka shumë për të rrëfyer, jo vetëm për profesionin e të atit Sotir Majko, por edhe armën e Aviacionit Ushtarak, që sot është harruar.
Ja si e përshkruan ai në një nga intervistat punën dhe marrëdhënien me të atin:
Tek unë ishte ndryshe. Im atë vinte nga një histori e ndërlikuar. Ai në fund të viteve 50-të u nis në Bashkimin Sovjetik për t’u bërë pilot ushtarak. Ishte kryetari i grupit të studentëve shqiptarë. Ata u nisën drejt një prej bazave ajrore më të mëdha ruse siç ishte ajo e Krasnodarit. Nostalgjia e tim eti më ka rritur me kujtimet për shokët e tij.
Grupi ushtarakëve studentë ku bënte pjesë edhe im atë tërhoqi vëmendjen për aftësitë profesionale, por edhe për humorin e moshës që sajonin larg vendit të tyre. Ky grup për rastësi qëlloi me zëra “baritonësh” dhe që këndonin bashkë mjaft këndshëm. Ata fituan në konkurimet muzikore brenda ushtrisë ruse të bazës ushtarake. “Kori” i pilotëve studentë dalloi me zërin dhe vijën melodike të këngëve shqiptare që këndonin duke marrë edhe çmime.
Ato ishin në pjesën më të madhe një tufë këngësh me të shara shqiptarçe në “brezin e shtatë”. Këndoheshin me ritmikë dhe “pasion” nga studentët ushtarak shqiptarë që rusët i la gojëhapur. Erdhi një ditë që “Radio Moska International” të transmetonte si event një këngë nga ky grup me zë kaq të veçantë. Spikeri rus që i drejtohej botës me valët e radios së Kampit Komunist i përshkoi me fjalët:
“Dhe ja tani do dëgjoni një këngë të mrekullueshme të partizanëve shqiptarë që këndonin pas fitores në betejat heroike me gjermanët pushtues” . Pas kësaj paraqitjeje fillonte kënga me zërat melodioz të pilotëve shqiptarë që këndonin “Prifti Ravonikut bënte dashuri…!”
Padyshim që po e “zbukuroj” pak por besoj se shpëtuan mirë nga kjo shaka e rëndë. Mund ta kishin pasur pisk po të zbulohej ky humor pa teklif i djemve të ajrit. Kur atasheu ushtarak shqiptar vizitoi bazën ajrore ai u ftua me krenari nga komanda e saj të dëgjonte këngët e “grupit” shqiptar. Këta i kishin marrë masat. Këngët ishin ndryshuar me urgjencë për tu bërë “serioze”. Rusët të çuditur pyesnin për këngët “ritmike” që u kishin pëlqyer dhe që ishin hequr nga repertori… Atasheu gjithsesi kuptoi diçka, por e kaloi me të qeshur.
Pilotët janë një botë më vete njerëzore dhe cilido që i përkufizon ata vetëm si “shoferë” avionësh nuk ka kuptuar asgjë. Prishja e marrëdhënies me Bashkimin Sovjetik e gjeti grupin shqiptar nën një presion të kuptueshëm. U përballën si shqiptarë. Ulën me dinjitet flamurin nga baza dhe u kthyen në vendlindje. Nuk pati asnjë dezertim. Kishte ushtarakë rusë që shprehën dhimbje për këtë ndarje.
Nga tregimet e tim eti nuk e harroj thënien e një instruktori rus: “Në se do të më urdhërojnë të luftoj në Shqipëri do të isha i lumtur të rrëzohesha nga studentët e mi…” Nga im atë kam trashëguar një lloj nostalgjie për… rusët. Vite më vonë në 1999 në zyrën time të kryeministrit mbëriti një delegacion i Dumës ruse.
Ishin thuajse të gjithë ish-ushtarakë të vjetër. Për ta nënvizuar këtë fakt kishin vendosur edhe dekoratat e luftës. Biseda ishte e akullt dhe pa diplomaci. Ambasadori rus që i shoqëronte nuk foli. Folën ata dhe me gjuhë të drunjtë. Arsyetimi i tyre ishte se nëse do të shperthente lufta në Kosovë ishte e qartë që Rusia do të përfshihej në të… Nuk fola.
Po i vështroja me kujdes. Duhet të kishte pilotë midis tyre. Librin rus “Qielli i Balltikut“ me temën e pilotëve rusë gjatë Luftës së Dytë e kisha lexuar mbi dhjetë herë. Kisha përballë edhe heronjtë e librave të fëminisë sime. Pastaj erdhi fjalia e tyre se Rusia kishte armë bërthamore dhe… se Shqipëria ishte një vend i vogël…Çfarë mendoni? Ishin pleqtë me dekorata që po më pyesnin. Fillova të flas. Në fillim ngadalë.
“Në se ndodh ajo që thatë…populli im nuk ka rrugë tjetër veç të bëjë atë që pilotët heronj të Bashkimit Sovjetik bënë gjatë Luftë së Dytë Botërore. Do të bëjmë “tarrant!”…“Tarranti” si fjalë ushtarake vjen nga Lufta e Dytë, kur pilotët rusë me vetëm disa javë përgatitje nuk kishin asnjë mundësi për të fituar në betejat ajrore. Ata për këtë arsye përplaseshin me avionët gjermanë ballë për ballë duke rrëzuar të dy avionët.
Kjo ishte neuroza e “as-ëve” fluturues gjermanë. Pleqtë rusë heshtën pasi përmenda “tarrantin”. Biseda mbaroi. U çuan dhe dolën. Disa prej tyre për çudinë time më nderuan ushtarakisht. Kisha folur si djalë piloti dhe jo si kryeministër.
Çfarë ju thoshte babai në ato pak kohë që kalonit bashkë, për çfarë bisedonit?
Mos prisni tu them detaje. Më kuptim ka t’ju them se më pas grupi i pilotave të tim eti udhëtoi drejt Kinës dhe miqësisë së re kineze. Në fakt nuk zgjati shumë. Të mësuar në Shqipëri dhe sidomos me standartin e jetës “ruse” situata e grupit të pilotëve në Kinë shkoi drejt një lloj rebelimi nga kushtet e jetesës dhe arsyet financiare. Grupi refuzoi të fluturonte.
Nuk ka gjë më të rëndë se sa një pilot të refuzojë fluturimin. Në ushtri kjo është ngjarje e rëndë. Reagimi i shtetit shqiptar ishte i menjëhershëm. Grupi u kthye në atdhe. U hap një proces hetimor i cili insistonte të gjente “organizatorët”. Kjo nuk funksionoi. Procesi u mbyll me masa disiplinore.
Babai im u përjashtua nga partia dhe ju hoq “uruçka” (timoni i avionit- rusisht)…Kjo do të thoshte që ai nuk mund të fluturonte më. Ishte dramë dhe eksperiencë po ashtu. Për fat miqësia në ushtri ka standarte të tjera nga jeta civile. Im atë ndoqi studimet në akademinë e mbrojtjes dhe u rikthye në aviacion si oficer shtabi. Ai arriti deri në postin e lartë të shefit të shtabit të përgjithshëm të aviacionit ushtarak.
Nuk harroj të them se im atë u rifut në parti. Nuk e kishte me dëshirë, por ishin shokët e vet që e nxitën dhe sidomos një burrë i mrekullueshëm dhe miku i tim eti, quhej Seo Trola, i cili nuk jeton më. “Bëje kërkesën për tu futur në parti! Në mos për veten tënde bëje për këtë…” – i tha babait duke treguar me gisht nga unë ende fëmijë. Babai im u ribë komunist edhe prej meje. Unë mbeta i majtë sidomos prej tij. Kam mësuar nga ai si çdo djalë nga babai i vet.
E kishit menduar ndonjehere te beheshit pilot, si babai?
(Qesh) Po si jo!? Ajo ishte ëndërra ime. Nuk ishte e thënë të bëhej realitet. Im atë ishte kundërshtari i saj. Çdo mungesë e imja në fëmini lidhej nga ai me “pamundësinë” time për tu bërë pilot. Kthehesha vonë në shtëpi…E bërtitura e babait ishte:
“Çfarë piloti do bëhesh?!” Merrja notë ulët, zihesha me shokët, lija flokët e “gjata” dhe deri po të harroja sirtarin hapur…kritika e tim eti ishte: “Dhe të gënjen vetja se do drejtosh avionin me këtë mendje që ke?!” Në fakt ndodhte e kundërta.
Biblioteka ime dhe leximet për aviacionin ishin plot dhe jashtë të zakonshmes për moshën që kisha. Stërvitesha me ujë të ftohtë dhe një pjesë të jetës e kalova me ankthin se si do të paraqitesha në komisionin mjekësor që do të vendoste në aftësinë e mia për të fluturuar. Ironikisht herën e parë që fluturova nuk ishte avioni ushtarak i ëndrrës sime. Ai ishte avioni civil i linjës Tiranë – Romë në vitin 1992. Unë isha brenda tij si një pasagjer dhe deputet i opozitës.
Shumica e atyre që ishin në delegacionin parlamentar kishin emocionet e mbërritjes për herë të parë në perëndim. Unë në fakt dridhesha nga një emocion tjetër. Ai ishte i të fluturuarit për herë të parë me avion.
Pata fat që qëllova nga dritarja. Mbështeta kokën në xhamin ku nuk shihej asgjë vec errësirës dhe…lotova. Mbase po bëja të njëjtën gjë si babai im kur nga vendroja e aeroportit shihte shokët e tij si fluturonin. Po sillesha natyrshëm. Isha një “djalë piloti” në fluturimin tim të parë…