Plot 24 orë më parë është arrestuar në kryeqytetin e Greqisë Athinë Olsi Leku apo siç njihet ndryshe me disa emra si Jorgo Leku, dhe Giorgo Lekua.
Sipas burimeve të policisë Leku është një nga anëtarët e grupit të Çapjave në Elbasan dhe mban lidhje të forta me drejtuesit e këtij grupi. Arrestimi i Lekut është kryer nga policia Greke, pasi agjentët e Interpol Tiranës, kishin mundur ti zbulonin banesën ku jetonte Olsi Leku.
Më pas informacioni i është përcjellë në kohë policisë helene e cila ka vepruar me shpejtësi duke arrestuar të shumë kërkuarin Olsi alias Jorgo Leku. Ky i fundit prej 12 qershorit 2020 ishte shpallur në kërkim nga policia dhe prokuroria e Elbasanit dhe pas 5 muaj është arritur të arrestohet në Greqi personi i kërkuar.
Olsi Leku, akuzohet për ngjarjen e 15 gushtit 2012, ku brenda në banesën e tyre është vrarë babë e bir Gentian dhe Nezir Beqiri. Në rëfimin që ka dhënë Ervis Bardhi, i arrestuari dhe bëshkëpuntori i prokurorisë ka treguar se ditën e ngjarjes ai dhe Olsi Leku, kanë hipur në katin e pestë të një pallati dhe kanë vrarë Gentian dhe Nezir Beqirin.
Vrasjen e Gentianit, i cili ndodhej në “Arrest shtëpie” e ka kryer Ervis Bardhi, i cili ishte shok me Beqirin dhe hynte e dilte në këtë banesë. Ndërsa vrasjen e babait të Gentian, Nezir Beqiri e ka kryer Olsi Leku. “…unë kisha njohje me Olsi Lekun, dhe Gentian Beqirin. Gentianin e kam njohur përmes Etien Canit, të cilin e kam shok dhe ai kishte shumë lidhje me Gentianin. Në shtëpinë e Gentianit hyja vetëm unë dhe Etien Cani, dhe tjetër njeriu nuk i hapej dera, pasi ai ishte në hasmëri me familjen Çapja dhe për më tepër rruhej me polici.
Ditën e ngjarjes, kur kemi bërë krimin Etien Cani, ka qënë me detyrë vëzhgues, ndërsa unë dhe Olsi Leku, do hynim në banesë dhe të vrisnim Gentian Beqirin. Porosia është dhënë nga Çapjat. Etien Cani, ka parë nënën e Gentianit të zbresë nga pallati dhe të shkojë për Pazar. Mandej na ka informuar se janë larguar dhe dy policët nga hyrja e pallatit dhe kanë hyrë në makinë.
Menjëherë unë dhe Olsi Leku, kemi hyrë në hyrjen e pallatit dhe me shpejtësi jemi ngjitur lart në katin e pestë. Në derë kam trokitur unë dhe kam qëndruar para syrit optik të derës, pasi babai Gentianit, Neziri, më njihte dhe ma kishte hapur disa herë portën e shtëpisë, pasi i kisha vizituar edhe disa herë të tjera. Vizitat në shtëpi i kryeja, për të shoqëruar me muhabet Gentian Beqirin, pasi me të isha shok dhe e vizitojë në banesë kur ishte me arrest shtëpie. Kur unë kam qëndruar para syrit optik, Olsi Leku, ka qëndruar disa shkallë më poshtë në mënyrë që të mos dukej nga brenda derës, pasi do krijonte dyshim dhe nuk do e hapnin derën.
Sapo Neziri, ka hapur derën nga brenda dhe më ka thënë “…Mirmëngjes…”, unë e kam shtyrë me forcë dhe jam drejtuar në dhomën ku qëndronte Gentian Beqiri. Ky i fundit ishte i shtrirë dhe në gjumë. E kam goditur me pistoletë në kokë, armë të cilën ma ka dhënë Olsi Leku. Ndërsa pas meje ka hyrë në banesë dhe Olsi Leku, i cili duke parë që ka filluar të bërtasë babai i Gentianit, ai e ka rrahur me grushta e shkelma në korridorin e apartamentit, duke e lënë të shtrirë Nezir Beqirin.
Por Neziri, vetëm ulëriste dhe Olsi Leku, ka hyrë në një nga dhomat ka marë një jastës dhe ja ka vendosur në fytyrë, duke ja mbajtur të shtrënguar, derisa Nezir Beqiri, nuk ka lëvizur më…”,-ka treguar në rrëfimin e tij Ervis Bardhi. Bardhi, në dëshmi ka nxjerë dhe tre emra të tjerë të anëtarëve të familjes Çapja, por çuditërisht ende nuk është ndërhyrë për arrestimin e tyre nga policia dhe prokuroria e Elbasanit.
Me sa duket kërkohet kohë për qartësimin e pozicionit të tyre me prova konkrete, lidhur me këtë ngjarje kriminale. Por tashmë është fakt që për këtë ngjarje të rëndë të ndodhur 8 vite më parë, janë arrestuar tre persona si Etien Cani, Ervis Bardhi dhe Olsi Leku. Ndërkohë pa dyshim hetime po kryehen edhe për tre anëtarë të familjes Çapja si të dyshuar dhe përmendur nga dëshmia e Ervis Bardhit, si pjesë e skenarit të këtij krimi të rëndë që tronditi në 2012 qytetin e Elbasanit.
Ky nuk është rasti i parë që Ervis Bardhi përmend Olsi Lekun në prokurori. Gati një vit pas vrasjes së babë e bir në Elbasan, në qershor 2013, kur Ervis Bardhi është arrestuar për mbi 200 kg drogë dhe dënuar me 6 vite burgim, ka deklaruar se në 6 qershor 2013 e ka telefonuar Olsi Leka, (në atë kohë i paindividualizuar nga policia, pasi me këtë gjeneralitet figurojnë shumë persona) dhe i ka kërkuar që të nesërmen të shkonte në Tiranë, ku do të takoheshin me një shokun e tij të quajtur “Ardian”, por që e thërrisnin “Feti”, i cili kishte një problem, e i duhej një shofer për të drejtuar një furgon dhe se do ta sqaronte kur të takoheshin.
Bardhi më tej ka treguar se në 7 qershor 2013 nga qyteti i Elbasanit ka shkuar në Tiranë, ku është takuar me Olsi Lekën që po e priste me një veturë.
Olsi i ka thënë se do të niseshin për në Kavajë dhe kështu kanë vepruar. Gjatë rrugës, në afërsi të Plepave në Durrës, Olsi i ka thënë Ervisit se një njeriut të Adrianit i kishte mbetur furgoni ne Kavajë e se nuk kishte shofer.
Pas disa orësh ka ardhur edhe Ardiani që e thërrasin “Feti” e janë takuar. Ardiani e ka vënë në dijeni të faktit se në furgon kishte hashash e se do të shpërblehej në shumën 500 Euro, nëse ai do ta lëvizte furgonin.
Fillimisht Bardhi ka hezituar, por pasi kanë levizur deri tek “Bishti i Zhurit” e pasi Ardiani ka këmbëngulur, Ervis Bardhi, ka pranuar e ka marrë furgonin. Para se të merrte furgonin, Ardiani i ka dhënë Ervis Bardhit një telefon celular ku ishte regjistruar emri “Ari” dhe i ka thënë se në atë telefon dhe nga numri i “Arit” do t’i vinin mesazhe që do ta orientonin në lëvizjen e tij deri në destinacion, duke shtuar që të mos bëhej merak, pasi ai, Ardiani do ta mbikëqyrte gjatë gjithë rrugës.
Në datën 7 qershor 2013, në orën 20:50 shërbimet e policisë të Durrësit kanë konstatuar një furgon “Benz” me targa AA 938 AE që kanë ndaluar në zonën e vendit të quajtur “Mali i Robit”. Për këtë mjet ata kishin informacion në rrugë operative se po transportohej lëndë narkotike me destinacion Durrësin. Mjeti ishte vjedhur në Tiranë dhe ishte denoncuar pikërisht në komisariatin nr. 2, në kryeqytet.
Në momentin e ndërhyrjes së policisë është arrestuar dhe Gentian Malindi, por në caktimin e masës së sigurisë gjyqtarja Shpëtime Pitaku, ka pohuar se Gentian Malindi, nuk është kapur në kryerje e sipër të veprës penale, nuk ka qënë në ndjekje nga policia, nuk është kapur me asnjë send apo prove materjale të cilat ta implikojnë në kryerjen e veprës penalepër të cilën dyshohej. “…gjendja e tij aty në afërsi të fugonit ku u arrestua edhe Ervis Bardhi rezulton të ketë qenë e rastësishme…”, thotë gjyqtarja.
Olsi Leku, ka dyshime të forta se është njëri nga personat që ka dërguar nga porti i Pireut, Athinë, sasinë prej 137 kg kokainë në drejtim të portit të Durrësit. Por kjo ngarkesë u zëvendësua nga agjentët e DEA, duke hequr kokainën dhe vendosur një sasi orizi brenda në kontinjer. Pakot kanë ardhur në portin e Durrësit, dhe janë tërhequr Altin Myslihaka, Adrian Bega dhe Gentian Malindi. Por në zonën e shkëmbit të Kavajës, pakot me “Kokainë”, janë hedhur nga makina, pasi Malindi ka konstatuar se ishin futur në kurth pasi në pako kishte oriz dhe një mikroçip.