Një i ri shqiptar dhe dy italianë janë arrestuar nga karabinierët e Kremonës pasi kanë rrëmbyer e keqtrajtuar një punëtor rumun, rezident në San Daniele Po, për ta detyruar që t’u kthente një borxh që kishte për blerje marijuane.
Ngjarja ka ndodhur më 21 janar, kur një student 20-vjeçar rezident në Kremona dhe një keqbërës 19-vjeçar nga Malagnino rrëmbyen rumunin 22-vjeçar që u detyrohej 3500 euro pas blerjeve të marijuanës në periudhën midis majit e shtatorit të vitit të kaluar.
Pasi e morën me forcë pranë vendit ku punonte, ata e çuan rumunin në banesën e njërit prej tyre, në Malagnino, ku e rrahën, pastaj në Kremona ku u përpoqën të tërhiqnin para nga bankomati me kartën e rumunit.
Rrëmbyesit telefonuan familjen e pengut, duke kërkuar 3000 euro, ndryshe do t’i bënin keq djalit të tyre, por ky i fundit, duke përfituar nga shpërqendrimi i dy italianëve telefonoi numrin 112 nga një celular i lënë në makinë.
Një patrullë e karabinierëve ndërhyri furishëm në vendngjarje, duke detyruar dy rrëmbyesit të merrnin arratinë, bashkë me një shqiptar që iu ishte bashkuar ndërkohë për t’i ndihmuar në përpjekjet për marrjen e parave. Patrulla arriti t’i ndalonte e të shpëtonte rumunin me shenja të qarta dhune.