Gjermania ka kërkuar sot lirimin e pakushtëzuar të tre policëve të Kosovës të rrëmbyer nga forcat serbe në veri.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka shpërndarë në Twitter një postim të ministres së Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, e cila i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të depërshkallëzojnë situatën menjëherë.
Ndryshe, tre policëve të Kosovës, të rrëmbyer nga forcat serbe në veri të vendit sot i është shqiptuar masa e paraburgimit. Vendimi është marrë nga gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Kralevë, pas kërkesës së bërë nga prokurori publik i këtij qyteti në jug të Serbisë.
Të mërkurën (14 qershor) tre zyrtarë kufitarë janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës. Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë në detyrë thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale.
Ndërkohë, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe kanë bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës, të arrestuar në veri nga forcat serbe.