Rrikthehet në Borsh ‘South Outdoor Festival’

South Outdoor Festival rikthehet në Borsh edhe për vitin 2020 për të apasionuarit e natyrës dhe turistët e aventurës.

Përgjatë 3 viteve Borshi, një nga fshatrat më të mëdhenj të Shqipërisë së Jugut, i njohur për ujin e kristaltë, plazhin e mrekullueshëm dhe natyrën mbresëlënëse ka mirëpritur këtë festival.

Risia e këtij vit për vizitorët e këtij festivali, që do të mbahet nga data 30 prill deri më 3 maj, do të jenë kampet e luksit ku vizitorët e shumtë vendas dhe të huaj do kenë mundësinë të shijojnë këtë event në natyrë në këto kampingje me kushte mjaft të mira.

Pra këtë vit të gjithë pjesëmarrësit e festivalit që po kërkojnë përvojën më autentike të këtij eventi do të kenë mundësinë të provojnë kampet e luksit duke u bërë një me natyrën.

Këto lloj kampesh organizohen për herë të parë në Shqipëri, ekskluzivisht për këtë festival nga një prej kompanive më të mira që ofron kampe luksoze VIP në festivale të mëdha në të gjithë Europën. Këto kampe do t’u ofrojë vizitorëve pajisje sanitare me cilësi të lartë, WIFI dhe shumë shërbime të tjera për ta bërë qëndrimin e tyre gjatë ditëve të festivalit sa më të rehatshëm dhe të këndshëm.

Ky festival është festa e gjithçkaje që mund të shijoni në natyrë, sportin, kulturën, traditën, muzikën, natyrën dhe kulinarinë.

South Outdoor Festival fton pjesëmarrësit nga e gjithë vendi dhe e gjithë Europa që të bashkohen, të konkurrojnë, të argëtohen dhe të përjetojnë bukurinë unike të natyrës, ushqimit, kulturës, traditës së Shqipërisë së Jugut.

Loading...