Rastet me koronavirus në vendin tonë vazhdojnë të rriten.
Në 24 orët e fundit janë shënuar 44 raste pozitive me COVID-19, një më shumë se një ditë më parë.
Ndërkohë sipas burimeve bëhet me dije se një 59 vjeçar nga Lushnja ka humbur jetën ditën e sotme.
Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë:
Ju informojmë rreth situatës së COVID 19 në Shqipëri, në 24 orët e fundit.
Kanë vijuar testimet për të dyshuar të prekur me Covid19 dhe vazhdon puna intensive e epidemiologëve në terren për gjurmimin aktiv të rasteve.
Në 24 orët e fundit janë kryer 291 testime nga të cilat janë konfirmuar 44 raste pozitive, përkatësisht, 22 raste në Tiranë, 6 në Krujë, nga 4 raste në Durrës, Kamëz, Shkodër, 2 raste në Lushnje dhe nga 1 rast në Vlorë, Elbasan. Rastet e konfirmuara janë kontakte të rasteve pozitive por edhe shume raste të reja që janë në hetim në Shkodër, Elbasan, Vlorë.
Nga 40 personel shëndetësor të testuar kanë rezultuar pozitivë 9 prej tyre, të gjitha kontakte, ndërsa janë shëruar 21 qytetarë duke e çuar numrin e të shëruarve mbi 1 mijë që nga fillimi i epidemisë.
Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në spitalin infektiv një pacient 59 vjeçar nga Lushnja, i shtruar prej 6 ditësh në terapi intensive, i konfirmuar me Covid19. 59-vjeçari vuante nga Kardiomiopati e dilatuar, sëmundje renale kronike, diabet mellitus, anemi. Pas asistencës së madhe të stafit mjekësor në terapi intensive, 59 vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë. Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime familjarëve të të ndjerit.
Vijon të ketë shtrime në spitalin infektiv kryesisht nga Tirana. Aktualisht janë 52 pacientë të shtruar, ndërsa 8 prej të shtruarve janë në terapi intensive. Në vendin tonë janë aktualisht 349 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë ku ka transmetime komunitare.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju fton për t’u treguar të kujdesshëm për respektimin e distancës fizike me njëri-tjetrin, evitimin e kontakteve, shtrengimit të duarve dhe përqafimeve, ruajtjen e higjienës personale. Nëse keni shenja të sëmundjes telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 dhe në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për Covid19.
COVID-19 – Statistika (11 Qershor 2020)
Testime totale 19562
Raste pozitive 1385
Raste të shëruara 1001
Raste Aktive 349
Humbje jete 35 (Qarku Tiranë 21, Durrës 6, Fier 4, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 211
Shkodër 42
Krujë 32
Kamëz 23
Durrës 16
Mat 9
Lushnje 5
Tropojë 2
Korçë 1
Librazhd 1
Mallakastër 1
Lezhë 1
Pukë 1
Berat 1
Ura Vajgurore 1
Vlorë 1
Elbasan 1