Ka nisur protesta e qytetarëve për rritjen e çmimeve para Kryeministrisë, ashtu siç ishte paralajmëruar. Protesta është organizuar nga qytetarët me vullnet të lirë dhe shoqëria civile për rritjen e çmimit të bukës, por edhe të ushqimeve të shportës e karburanteve. I pranishëm në protestë është edhe aktori i njohur Florjan Binaj, i cili u bën thirrje qytetarëve që të ngrenë zërin.
“Shumë nuk kanë mundësi të rrisin një fëmijë. Bravo ju që kemni ardhur, edhe më shumë duhet të jemi“, tha Binaj.
Rritja në javët e fundit e çmimit të produkteve ushqimore dhe paralajmërimi për një krizë të energjisë elektrike, shoqëruar me rritjen e çmimit të saj, ka bërë bashkë në protestë qytetarë, aktivistë, aktorë etj. Ekspertët kanë bërë të ditur se rritja e çmimit të grurit, karburanteve dhe nëse ndodh edhe ajo e energjisë elektrike do të ndikojë në rritjen e çmimit të të gjitha produkteve që konsumojnë qytetarët.