Rritje page për 6800 ushtarakë, kategoritë që përfitojnë

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, tha se pr/buxheti i institucionit që ajo drejton do jetë 1,25% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, teksa shtoi se te Buxheti i ri, parashikohet një rritje rroge për 6800 ushtarakë.

Ministrja Xhaçka ishte të enjten e pranishme në Komisionin për Sigurinë Kombëtare, të drejtuar nga deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj. Xhaçka u shpreh se duhet të ketë një qasje të kujdesshme ndaj Ministrisë së Mbrojtjes, kjo dhe në sajë të Aleancës Euroatlantike ku bën pjesë Shqipëria.

“Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2018 ka qenë 1,2 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Na duhet një rritje e Buxhetit me 1,25 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto për vitin 2019. Duke marrë në konsideratë edhe kushtet specifike makroekonomike dhe kapacitetin fiskal gjykojmë se duhet të ketë një qasje më të kujdesshme ndaj buxhetit të mbrojtjes, në mënyrë që të plotësojmë detyrimet kushtetuese dhe ato që rrjedhin nga pjesëmarrja jonë në NATO“, – u shpreh Xhaçka.

Ministrja e Mbrojtjes saktësoi gjithashtu se përmes këtij pr/buxheti parashikohet rritja e rrogave për 6800 ushtarakë, ndërsa vetëm oficerët me gradat e larta nuk do përfitojnë nga kjo rritje rroge. “Rritja do jetë deri në 19% dhe kjo rritje vjen pas kaq e kaq vitesh harresë në këtë institucion. Duam të motivojmë ushtarakët e gradave më të ulëta dhe rritja do jetë deri në 19% dhe përfitues do jenë 6800 ushtarakë”, vijoi ministrja e Mbrojtjes.

Sipas saj, përmes këtij pr/buxheti synohet “modernizimi i grupbatalionit të këmbësorisë së lehtë, një nga angazhimet kryesore. Përmirësimi i kapaciteteve të tjera dhe pajimeve bazë për ushtarakët e FA. Modernizimi i sistemeve të komunikimit dhe informacionit dhe vënia në funksion të integruar të vëzhgimit të hapësirës ajrore. Projekt në vazhdimësi prej 2017 dhe ka investim 22 milionë dollarë dhe një shtrirje kohore me tre vite buxhetore”.

“Përmirësimi i funksionimit të integruar të hapësirës detare. Investimi në modernizimin e bazës së Kuçovës. Në samitin e NATO-s të mbajtur në Wells në 2014 është marrë zotimi për të arritur buxhetin e mbrojtjes në 2 % të GDP-së deri në 2024”, – tha Xhaçka, teksa shtoi se institucioni që ajo drejton tashmë ka dhe departamentin e Emergjencave Civile.

Ministrja e Mbrojtjes tha se duke marrë këtë institucion në drejtim kemi marrë përsipër dhe kostot dhe përgjegjësitë që ky institucion ka. “Kemi paguar pagesat e lëna pas nga Ministria e Brendshme dhe kemi marrë përgjegjësitë për rëndësinë që ka ky institucion”, – tha Xhaçka.

Deputetët e Komisionit të Sigurisë u shprehën të rezervuar për pr/buxhetin e parashikuar për Emergjencat Civile, por ministrja Xhaçka saktësoi se, “Duhet të kihet parasysh se Emergjencat Civile ndërhyjnë në momentin kur bashkitë nuk e përballojnë dot emergjencën. Në këtë drejtim, buxheti më i madh për të përballur emergjencën i takon bashkive, njësive lokale, ndërsa pjesa tjetër Drejtorisë së Emergjencave Civile dhe kjo është arsyeja që ndoshta në plan të parë duket një buxhet i vogël”, – tha Xhaçka.

 

Loading...